Gati ose jo, Bajden do të përballet me një test të shpejtë përballë Putinit

Mundësia e parë e presidentit të ri amerikan Xho Bajden për të shmangur qasjen shpesh komode të Donald Trump ndaj Rusisë, erdhi vetëm disa ditë para se ai të merrte detyrën. Arrestimi i shpejtë nga Kremlini i kritikut kryesor të presidentit Vladimir Putin, Aleksei Navalni, kur ai u kthye në Moskë të dielën e kaluar- 5 muaj pasi i mbijetoi një atentati të dështuar – e vendos Bajden në një presion ndoshta të padëshirueshëm për të reaguar shpejt.

Por kjo, i jep ndërkohë administratës së tij mundësinë për të përshpejtuar qëllimin e saj për t’i dhënë fund 4 viteve të heshtjes ndaj Rusisë nga ana e Shtëpisë së Bardhë, dhe në të njëjtën kohë për të rifilluar koordinimin diplomatik me aleatët evropianë, që vitet e fundit ishin neglizhuar haptazi nga Trump.

Është e sigurt se agjentët rusë u përpoqën t`a vrisnin Navalnin në gushtin e vitit të shkuar, teksa ai po udhëtonte për në Siberi. Pas shumë presionesh, autoritetet ruse lejuan transferimin e tij në Gjermani, ku mjekët në Berlin konstatuan se ai ishte helmuar me Noviçok, një agjent nervor i zhvilluar nga KGB-ja sovjetike, dhe i përdorur nga pasardhësja e saj FSB, për të eliminuar kritikët e Putinit.

Vetë presidenti rus ka mohuar përgjegjësinë mbi helmimin e Navalnit, madje duke bërë shaka se nëse agjentët rusë do të donin t`a vrisnin, “ata me siguri do t`a kishin përfunduar punën”. Por Navalni bëri publike muajin e shkuar një bisedë telefonike të përgjuar, në të cilën ai tha se mashtroi një agjent të FSB-së duke u shtirur sikur ishte një nga eprorët e tij.

Navalni i kërkoi atij të përshkruante të gjithë operacionin, dhe ai në thelb pohoi se ishte përpjekur ta vriste Navalnin. Si gati për gjithçka që kishte të bënte me Putinin, Trump reagoi ndaj atentatit kundër Navalnit, duke e mbrojtur presidentin rus. I pyetur më 4 shtator, ndërsa Navalni ishte ende në koma në Berlin, Trump hodhi poshtë pretendimet se Putini ishte përgjegjës për aktin, duke thënë se ai nuk kishte parë “ende ndonjë provë”.

“Është interesant fakti që të gjithë përmendin gjithnjë Rusinë. Por unë mendoj se ndoshta ka gisht Kina. Është një komb për të cilin duhet të flisni shumë më tepër sesa për Rusinë”- tha ai. Kur u shtuan provat kundër Kremlinit, Trump u pyet sërish mbi helmimin e Navalnit, dhe pas një pauze të sikletshme, deklaroi:“Ne do të flasim për këtë në një kohë tjetër”.

Reagimi i Trump mbi atentatin ndaj Navalnit, ishte në përputhje me qasjen e tij ndaj Putinit gjatë gjithë presidencës së tij. Në një konferencë shtypi me Putinin në Helsinki, Trump mohoi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet 2016, duke hedhur kësisoj poshtë përfundimet e vetë agjencive amerikane të inteligjencës.

Ai refuzoi t`a ndëshkonte Rusinë, edhe kur zbulimi amerikan zbuloi se Moska po i paguante afganët për të vrarë ushtarët amerikanë, ose kur një automjet ushtarak rus në Siri goditi qëllimisht një automjet amerikan, duke plagosur 4ushtarë amerikanë.

Lexo edhe :   Plani ambicioz ekonomik i Presidentit Biden

Nën Trumpin, Uashingtoni dukej sikur kishte 2 politika të jashtme paralele, por shpesh kontradiktore. Trump kishte një politikë, Departamenti i Shtetit një tjetër. Sigurisht, pas arrestimit të Navalnit të dielën dhe seancës gjyqësore ndaj tij në një komisariat policie, pas së cilës ai u dërgua në burg, Sekretari i Shtetit Majk Pompeo, bëri ​​një deklaratë zyrtare duke e kritikuar Kremlinin.

Por këshilltari i ardhshëm i sigurisë kombëtare të Bajden, Xhek Sallivan, kishte lëshuar më herët një deklaratë të tij. “Sulmet e Kremlinit ndaj zoti Navalni nuk janë thjesht shkelje e të drejtave të njeriut, por një fyerje ndaj popullit rus që dëshiron të dëgjohet zëri i tij”- deklaroi ai në Twitter, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të opozitarit të njohur rus.

Siç kanë vërejtur shpesh analistët, zëri i presidentit amerikan është një mjet i fuqishëm, shumë më muskulor sesa deklaratat e Departamentit të Shtetit, apo të anëtarëve të tjerë të administratës së tij. Është100 për qind e sigurt se Bajden do të flasë shumë më tepër kundër abuzimeve nga regjimi i Putinit, sesa ka folur ndonjëherë Trump.

Dhe rasti ”Navalni” do të jetë prova e parë. Aleatët evropianë të Amerikës, po vëzhgojnë nga afër situatën. Pas helmimit të Navalnit, Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj disa zyrtarëve rusë. Disa udhëheqës evropianë kanë folur publikisht kundër Moskës, por kërkohet më shumë.

Anëtaret e BE, Estonia, Lituania dhe Letonia, ish republika të Bashkimit Sovjetik – po e nxisin Brukselin të vendosë sanksione ndaj Moskës nëse nuk lirohet Navalni. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, i hodhi poshtë akuzat e Perëndimit në lidhje me çështjen Navalnit, duke pretenduar se e gjitha është një përpjekje për të larguar vëmendjen nga problemet e tyre në shtëpi dhe “kriza e thellë e modelit liberal të zhvillimit”.

Xho Bajden, do të preferonte ndoshta të mos e niste mandatin e tij me një përplasje të ashpër me Putinin, por të shfaqurit i ndrojtur në këtë moment do të ishte një opsion më i rrezikshëm për shefin e Shtëpisë së Bardhë. Përveç kësaj, ai ka përpara sfidën e bashkërendimit me Evropën, e cila gjithashtu është e përçarë mbi mënyrën se si duhet të sillet me Rusinë.

Angela Merkel e Gjermanisë nuk dëshiron që të rrezikojë ndërtimin e gazsjellësit “Nord Stream 2”, një zgjatim i gazsjellësit ekzistues nën Detin Baltik, që sjell gaz rus në Gjermani, dhe që tashmë është vonuar nga sanksionet e SHBA-së.

Disa në Evropë duan që ndërtimi i gazsjellësit të ri të ndalet plotësisht si pjesë e sanksioneve të reja. Bajden, që ka plot kriza me të cilat duhet të merret, do të preferonte ndoshta të mos kishte Rusinë si një sfidë të menjëhershme. Gjithsesi duket e arsyeshme që fundi i administratës Trump dhe fillimi i presidencës Bajden të përfshinte një kthesë të dukshme në marrëdhëniet me Moskën.

Burimi i lajmit: https://www.worldpoliticsreview.com/articles/29368/ready-or-not-biden-faces-an-early-test-with-russia-s-putin

Përshtatur nga TIRANA TODAY