Pas dorëzimit të mandatit, ish-kryeministri Berisha nuk do të ketë më mbrojtje nga Garda e Republikës. Punonjësve të Gardës u është komunikuar se do të rikthehen në funksionet e tyre brenda Gardës, ku do të marrin detyra të tjera.
Raportohet, ende jo zyrtarisht, se badigardët kanë dhënë dorëheqjen nga Garda e Republikës dhe kanë dorëzuar armët e shërbimit, duke mbetur në pritje të miratimit të kërkesës së tyre. Vlen të theksohet se në protestën e sotme, ata e kanë shoqëruar sërish privatisht ish-kryeministrin, por të paarmatosur.
Sipas ligjit, ish-presidenti dhe ish-kryeministri ruhen nga Garda e Republikës për aq vite pas lënies së detyrës sa kanë qëndruar në detyrë.
Pak çaste më parë, deputetët e opozitës dogjën mandatet e tyre. Ata, të shoqëruar nga mijëra protestues dorëzuan mandatet e tyre në kryesinë e Kuvendit.