Brenda PD-së ka zhvillime të reja, ku përpos të pakënaqurve, ka edhe dorëheqje. Enno Bozdo i zgjedhur në Komisionin për zgjedhjet në PD, ka dhënë dorëheqjen. Duke e arsyetuar si një vendimmarrje për arsye shumë të forta, Bozdo njofton se vendimi i tij i është përcjellë kryedemokratit Basha.
Ky Komision u votua mbrëmjen e djeshme, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar. “Për arsye të miat shumë të forta që ia kam bërë të ditura kryetarit, e për arsye etike s’dua t’i bëj publike. Janë çështje të brendshme të partisë”, u shpreh Bozdo për ‘Balkanweb’.
Eno Bozdo u zgjodh mbrëmë anëtar i këtij Komisioni, kryetar i së cilit u emërua Jemin Gjana. Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ka miratuar mbajtjen e zgjedhjeve për kryetarin e ri të partisë më datë 13 qershor, sikurse u caktua paraprakisht nga Kryesia.
Demokratët pritet të zgjedhin më 13 qershor, drejtuesin e ri. Basha është shprehur më herët se shit-blerja e votës ishte shkaku kryesor, i rezultatit të opozitës në zgjedhje.
Kryesia dhe më pas Këshilli Kombëtar hapen garën për kreun e ri të PD-së. Nga sot deri të shtunën e 22 majit, secili anëtar i PD-së që plotëson kushtet, ka të drejtën të paraqesë kërkesën për kandidim.