Futboll, Superliga luan e gjitha sot, ja ndeshjet si dhe analiza e Tirana Today

Kategoria Superiore luan sot javën e 25-të të kampionatit me të gjitha përballjet të planifikuara këtë të dielë të vranët. Katër takime luhen njëkohësisht në orën 13:00 ndërsa në Elbasan Arena do të vërshëllehet nisja e takimit në 16:00 në ndeshjen Partizani – Teuta pasi të kenë përfunduar përballjet e tjera.

Bylis – Kukësi 13:00

Në Adush Muçaj të qytetit mallakastriot, zbresin në fushë Bylisi i vendit të 8-të me 22 pikë dhe verilindorët e Kukësit e vendit të 6-të me 32 pikë. Nga njëra anë luhet për mbijetesën dhe duhet thënë se ndër ekipet e fundit të tabelës Bylisi i Dovedanit ia ka dalë për momentin t’i shpëtojë dy vendeve të fundit që nënkuptojnë rënien direkte dhe ndodhet +5 nga Apolonia e Fierit. Kukësi me 1001 halle vjen i sapo-eleminuar nga Kupa e Shqipërise,  mundësia e tyre e vetme për trofe këtë sezon, që është ndoshta më i dobti për ta që kur janë ngjitur në Superligë.

Kastrioti- Vllaznia 13:00

Sfidë delikate! Kastrioti i vendit të 7-të me 29 pikë pret në Kamëz Vllazninë e paparashikueshme. Krutanët janë shumë të qetë përsa i përket mbijetesës pasi jo vetëm që ndodhen me pikë larg Skënderbeut dhe Apolonisë që mbajnë dy vendet e fundit por ka shmangur dhe pozitën e 8-të që është ajo e play-out-it. Derbi i veriut nënkupton nga ana tjetër një mundësi të artë për Vllazninë pasi shkodranët janë vetëm dy pikë prapa Laçit dhe në mesjavë  fituan një tjetër derbi, atë ndaj Korabit për të kaluar në gjysmëfinale të kupës. Një humbje tjetër do të thoshte fund i shpresave për titull pasi duket se të tjerët e kanë marrë tejet seriozisht dhe kundërshtarët janë të shumtë në majë.

Laçi – Tirana 13:00

“Nuk e shoh si treni i fundit por e shoh si një mundësi e mirë që kemi”- kështu  u shpreh trajneri i Tiranës Orges Shehi për transfertën e Laçit këtë të diel. Pavarësisht asaj që durrsaku thotë, në të vërtetë Tirana duuhet të mundë cilindo që i del përpara për të shpresuar që të kapë grupin e kryesuesve dhe një fitore sot me liderët e kampionatit do ti çonte shumë pranë objektivit. Në rast të kundërt, një humbje apo barazim bën që zona europiane të largohet akoma më shumë me 3-4 ekipe të tjera sipër tyre. Tirana e vendit të pestë me 35 pikë nuk është aspak ajo e sezonit të kaluar por një fitore në Laç hap të tjera perde. Nga ana tjetër, kurbinasit pa Nuabuezen kërkojnë të konfirmojnë që primati i tyre nuk është një rastësi dhe një ndeshje brenda është mundësia më e mirë për ta bërë këtë.

Lexo edhe :   Derbi i kryeqytetit mbyllet në ''paqe'', barazimi afron Teutën me titullin

Apolonia – Skënderbeu 13:00

E ç’mund të thuhet tjetër për këtë përballje mes dy vendeve të fundit veçse do të jetë luftë e egër sepse mbijetesa është gjithmonë luftë më e ashpër sportivisht dhe jo vetëm edhe se objektiva në zonën e sipërme të tabelës. Respektivisht 5 dhe 6 pikë posht Bylisit, vendit të 8-të, që është një objektiv minimal për mbijetesën, të dyja skuadrat si Apolonia ashtu dhe Skënderbeu e kanë këtë ndeshjen e jetës dhe do ta llogarisin 6 pikë sot. Ndoshta jo më e bukura në cilësi por kjo e Loni Papuçiut do të jetë sfida më interesante e orës 13:00.

Partizani – Teuta 16:00

Më e rëndësishmja e javës do të luhet në Elbasan, aty ku në orën 16:00, kur të gjithë të tjerët të kenë mbaruar, vëmendja do të fokusohet tek loja midis ‘demave’ kryeqytetas dhe Teutës së Durrësit. Të dy ekipet janë vetëm një fitore larg vendit të parë (në distancë), të dyja së bashku me Vllazninë kanë grumbulluar nga 42 pikë dhe ndjekin Laçin e vendit të parë që ka 44.

Partizani i Dajës dhe Teuta e Martinit na rriain pritshmëritë pasi kemi parë cilësi në ndeshjet e fundit. Bardhi nga njëra anë dhe Dejvi Bregu nga ana tjetër. Dy ekipe që e kanë titullin primar por Partizani mundësi të vetme teksa vjen nga eleminimi 120-minutësh i Laçit kurse Teuta nga një kualifikim që e mban në lojë në dy frone. Mbetet për t’u shijuar sepse flitet për dy teknikë që i kanë dhënë provat në kampionatin shqiptar.

T.Kotorri