Fushata zgjedhore/ Rakacolli: Nuk lejohen grumbullimet, të zbatohen masat

Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi ditën e sotme që masat kufizuese anti-covid të mbeten të njëjta edhe për dy javët në vijim.

Edhe pse ka një rënie të incidencës së rasteve, kryetarja e Komitetit Mira Rakacolli u shpreh se situata mbetet delikate.

Lidhur me fushatën zgjedhore, Rakacolli u shpreh se grumbullimet nuk do të lejohen, dhe apeloi që qytetarët të mbajnë distancimin social dhe të vendosin maskat.

Mira Rakacolli: “Vendi po hyn në fushatë zgjedhore dhe në vëzhgim të vendeve të tjera që kanë zhvilluar zgjedhje në kohë pandemie është vërë re se kur masat janë zbatuar nuk ka pasur tendencë rritje të infeksioneve. Ju bëjmë thirrje qytetarëve që të zbatojnë rregullat kundër Covid-19, edhe në fushatat zgjedhore.”

Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi që masat kufizuese të mos ndryshojnë edhe për dy javët në vijim, teksa ora policore do të mbetet 20:00-06:00.