“Fundja Ndryshe”, shtëpitë dhe ndihmat që u mblodhën në një javë

Shqiptarët u bënë bashkë javën që u mbyll në mbështetje të heroit tonë të përbashkët, Arjan Sala. Ai humbi jetën në mënyrën më sublime- duke shpëtuar kolegët e tij pas zjarrit që ra në magazinën e një qendre tregtare. “Fundjava Ndryshe” nisi mbledhjen e fondeve në bashkëpunim me emisionin “Stop” dhe “Opinion” në TV Klan për të siguruar të ardhmen e djalit të tij katërvjeçar që nuk do e shohë më të atin, ndërkohë që prej aktit të tij heroik e human të 32-vjeçarit Sala, dhjetra fëmijë të tjerë, prindër, motra e vëllezër, do përfqafojnë të afërmit e tyre prej aktit të tij. Mbi 1200 shqiptarë mblodhën së bashku mbi 62.000 dollarë brenda pak orësh. “Mirënjohje gjithësecilit prej atyre që kontribuan”, tha drejtuesi i “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari!

Ndërkaq, javën që u mbyll katër jetimë të families Plaku në Kavajë u bënë me shtëpi të re. Fatin për një banesë të re e pati edhe Luljeta Përbasha në Bilisht. E njëkohësisht, edhe për Stivni e vogël u bë e mundur nisja drejt Italisë, për kurim. Ndërkaq, duket se qytetarët po i përgjigjen thirrjes për ndihmë në familjen Tafani në Belsh, ku lotët e Erbit të vogël prekin zemrat e shumë prej shqiptarëve. Dy prindër janë të sëmurë, ndërsa dëshira e Erbit “të kem vetëm një krevat” të bën që të mos arrish t’i mbash lotët.

Ndërkaq, në Berat “Fundjava..” i dha lajmin e mirë nënës së Noemit, vajzës 1-vjeçare e cila vuan nga një sëmundje e rëndë. Shuma 25.000 Euro u arrit, duke bërë të mundur që të përgatitet nisja për operacionin. Arbër Hajdari falenderoi edhe një herë drejtuesit e emisionit “Stop” që bënë të mundur mbështetjen.

“Po mundohemi të evindetojmë rastet më emergjente, që kanë nevojë për ndihmë mjekësore apo për të përballaur situata ekstreme varfërie. Shqiptarët në Shqipëri e nëpër botë, kudo që janë, po na mbështesin në këtë rrugëtim, duke i dhënë gëzim mjaft prej atyre familjeve që fati nuk i ka buzëqeshur për një jetë dinjitoze, larg varfërisë. Unë dua të falenderoj këdo që i ka dhënë rrugëtimit tonë forcë në arritjen e objektivave”, tha Hajdari për “Tirana Today” teksa ingauronte shtëpinë e familjes Plaku në Kavajë.