Një tjetër emër i njohur i drejtësisë, nuk ka kaluar procesin e Vettingut. I referohemi gjyqtarit Tom Ndreca, i cili nuk ka mundur të kalojë me sukses procesin e Vettingut në dy komponentët bazë, atë të pasurive dhe integritetin.
Sipas KPK-së, Ndreca nuk ka deklaruar disa pasuri të luajtshme, si edhe nuk justifikon një shumë kursimesh prej 1.3 milionë lekësh. Një shumë për të cilën Tom Ndreca ka këmbëngulur se nuk i janë llogaritur të ardhurat e tij nga viti 1980 e në vijim. Blerja e shtëpive nga gjyqtari dhe familja e tij, u konsideruan të deklaruara saktë, ndërkohë që organet e Vettingut mendojnë se harresa e djalit të gjyqtarit për të deklaruar vite më parë një automjet, është fshehje.
Gjithashtu sipas KPK, Ndreca nuk ka deklaruar një procedim të kunatit, për “prodhim dhe shitje narkotikësh”. Për këtë fakt, kunati i gjyqtarit konsiderohet nga KPK-ja si krim i organizuar. Një person i arrestuar për 0.44 gramë hashash, konsiderohet si pjesë e krimit të organizuar, edhe pse ligji e sanksionon qartë se cilët persona janë pjesë e krimit të organizuar.
Ndreca, një emër i njohur për mediat
Ai ka qenë relator i çështjes “Tahiri”, për bllokimin e pasaportës. Po ashtu, ka qenë edhe gjykatësi që kryesoi në Kolegjin Zgjedhor çështjen e numërimit të votave në Tiranë, duke rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste për shpalljen të pavlefshëm të vendimit të KQZ-së, për numërimin e votave hedhur në kutitë e gabuara. Një vendim që shpalli fitues në garën për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Bashën.
Ndreca është diplomuar në vitin ‘80
Ndreca është diplomuar në Fakultetin e Shkencave Politike Juridike, në degën e Drejtësisë, në vitin 1980. Për një periudhë 4-vjeçare, ai ka punuar si prokuror gjyqësor dhe prokuror rrethi në Mirditë. Në fund të vitit 2017, pasuria e subjektit rezulton e rritur me 4 herë, duke kapur vlerën e rreth 22.8 milionë lekëve.
Pasuria
Pasuritë e paluajtshme zënë pjesën kryesore të pasurisë familjare të gjyqtarit Ndreca, me një vlerë totale prej 15.4 milionë lekësh. Nga dy apartamente që deklaronte në vitin 2003, në fund të vitit 2017 ai zotëron familjarisht 4 apartamente të blera kryesisht me kursime.
Ai zotëron gjithashtu 6.9 milionë lekë llogari bankare, 300 mijë lekë kursime në cash dhe një automjet me vlerë 200 mijë lekë. Të ardhurat familjare të zotit Ndreca për të gjithë periudhën deklaruese, përbëhen nga paga e tij dhe ajo e familjarëve. Në fund të vitit 2017, të ardhurat kapin vlerën e 39.1 milionë lekëve në total.