Frikë për dy futbollistët e PSG-së, në fushë teksa u vidheshin shtëpitë

Eksperiencë e tmerrshme mbrëmë për Di Marian dhe Markinjos gjatë ndeshjes PSG-Nant, braziliani flet pas grabitjeve të shtëpive.

Një episod shumë i keq ndodhi mbrëmë në Francë. Gjatë ndeshjes midis PSG-së dhe Nantës, të fituar me kthim rezultati nga miqtë 1-2 , familjet e futbollistëve të Parisit Markinjos dhe Di Maria përjetuan momente terrori pasi kriminelë hynë në shtëpitë e tyre përkatëse.

Argjentinasi u zëvendësua nga trajneri teksa luhej ndeshja. Braziliani foli më pas me anë të një ‘story’ në Instagram mbi atë që i ndodhi.

Mesazhi i postuar nga Marquinhos:

“Zyra për shtyp e Markinjos, PSG-së dhe Kombëtares Braziliane konfirmon se gjatë ndeshjes kundër Nantës, shtëpia e prindërve të lojtarit u vodh teksa familja e tij ishte e pranishme në banesë, por pa të dëmtuar dhe të gjithë janë mirë, megjithëse shumë të frikësuar.

Autoritetet franceze kanë hapur menjëherë hetimet për çështjen ”.