Shqipëria një vend i vogël por që ka arritur suksese të mëdha në sporte të ndryshme si në nivel klubesh apo Kombëtarja dhe në nivele të sporteve individuale. Viti 2017 ka pasur surpriza sa të hidhura dhe sukses në futbollin shqiptarë dhe në eksperiencat europiane.
Po ashtu ka pasur revolucion dhe ndryshime në Kombëtaren shqiptare, ku ikën trajneri më i suksesshëm De Biasi, për ti lënë vendin një tjetër italiani, Christian Panuccit. Një frymë e re, një motivim i ri, një ide e re për futbollin dhe një besim i ri se mund të arrijmë suksese më të mëdha nga ato që kemi përjetuar deri tani me një kualifikim në Europian.
Një moment sa i vështirë dhe i dhimbshëm ka qenë lamtumira e kapitenit Lorik Cana, por si fillon ashtu edhe mbyllet një epokë. Ai pavarësisht largimit do të vazhdojë të mbetet një legjendë, një simbol i shqiptarisë për atë që dha në fushën e lojës dhe jashtë saj, shkruan Tirana Today.
Për mënyrën si na përfaqësoi përtej kufijve duke qenë ambasadori më i mirë i të gjithë shqiptarëve. Nuk mund të na kalojë pa përmendur edhe një nga momentet ku çdo njeri u ndje krenarë, kur Romela Begaj u shpall kampione bote në Botërorin e Peshëngritjes të zhvilluar në SHBA.
Kategoria Superiore e sezonit 2016-2017 ka qenë e mbushur plot surpriza dhe të papritura. Kemi pasur kampionë të rinj, që shpallen për të parën herë të tillë, por kemi pasur edhe një disfatë historike ku një ndër ekipet me më trofe në Shqipëri bie në Kategorinë e Parë.
Sezoni që lamë pas në Kategorinë Superiore ka pasur mjaft të veçanta, kjo për faktin se u arrit që të thyhej dominimi i Skënderbeut dhe një ekip tjetër të shpalleshe kampion, pas 6 sezoneve. Ekipi i futbollit të Kukësit ka hyrë në histori.
Ndonëse është krijuar në vitin 1930, vetëm këtë vit ai është shpallur kampioni i Shqipërisë në futboll në sezonin 2016-2017. Ekipi me presidentin e pasionuar Safet Gjici, i drejtuar mjeshtërisht nga trajneri Ernest Gjoka gjunjëzoi 2-0 Skënderbeun e Korçës, kampion në fuqi, duke siguruar titullin një javë para përfundimit të kampionatit.
Kroati Pero Pejiç u kthye në hero pasi shënoi dy gola duke çuar në delir tifozerinë kuksiane. Një ndër takimet më të përfolura për ngjarjet që e përcollën atë, pasi ekipi i Skënderbeut ka kontestuar shumë arbitrin Ene Jorgji për vendimet e marra në këtë takim. Por sezoni që lamë pas ka pasur edhe anën më të herrët në histori, pasi një ekip që ka bërë histori në futbollin elitarë bie nga kategoria.
Për herë të parë në historinë e saj, klubi i Tiranës do të luajë në Kategorinë e Parë. 24-herë kampionët e vendit janë skuadra e dytë pas Korabit në këtë sezon që do të bjerë nga Kategoria Superiore.
Në sfidën finale të mbijetesës të luajtur në “Loro Boriçi”, bardheblutë nuk arritën dot të merrnin tre pikë, pasi rezultati u mbyll me shifrat 0-0 duke e mbajtur Vllazninë mes më të mirëve të futbollit shqiptar. Një humbje e madhe për kampionatin shqiptar që tashmë nuk do të ketë më në elitën e futbollit një nga ekipet që ka bërë historinë.
Kjo është hera e parë për skuadrën e Tiranës që bie nga kategoria, duke i dhënë një goditje të rëndë dhe futbollit tonë që tashmë për sezonin e ardhshëm nuk do të ketë më as derbin e kryeqytetit.
Skënderbeu edhe pse dështoi të shpallet kampion në Kategorinë Superiore, ka shkruar historinë në futbollin evropian. Ata arritën të kualifikohen për të dytën herë në tre vitet e fundit ne fazën e grupe të Europa League.
Arritja e korçarëve merr dhe më tepër vlerë teksa bëhen ekipi i parë shqiptar, që kalojnë katër ture në kompeticionet evropiane. St. Julia, Kairat Almaty, Mlada Boleslav dhe Dinamo Zagreb janë skuadrat qe kaloi Skënderbeu për të arritur kualifikimin. Falë kësaj arritje ata përfituan 3,3 milionë euro nga UEFA.
Por suksesi i Skënderbeut me në krye Ilir Dajën nuk u vulos vetëm me kualifikimin. Ata arritën të bëjnë një paraqitje dinjitoze dhe grumbulluan plot pesë pikë, ku nëse do të kishin pasur pak fat më shumë atëherë do të kishin arritur më tutje.
Një faktor kyç në suksesin e Skënderbeut është edhe presidenti Ardian Takaj, i cili ka ndërtuar një strukturë ekipi mjaft funksionale dhe tani mund ta quajmë si njeriu më i suksesshëm i futbollit shqiptarë.
Një shqetësim mjaft i madh në futbollin shqiptarë vazhdon të mbetet arbitrimi, është shqetësim pasi akoma nuk kemi profesionistë në fushë dhe vazhdon të ketë një lum akuzash për komandim të arbitrave.
Rastet janë të pafund për këtë shqetësim dhe duket se nuk do të ketë shërim ndonjëherë. Nëse zbresim nga Kategoria Superiore në të Parën dhe të Dytën, atëherë vetëm për futboll nuk do të jemi në gjendje të flasim. Gabime fatale të arbitrave, dhunë e pa justifikueshme ndaj zyrtarëve të FSHF-s dhe ndërmjet ekipeve, saqë disa fusha janë tabu për ekipet udhëtuese.
Kreu i FSHF, Armand Duka, së fundmi është shprehur se janë minimalizuar gabimet e arbitrave por nuk janë zhdukur fare, kjo tregon shumë qartë se çfarë ndodh me futbollin në Shqipëri. Rastet e dhunës në ndeshje janë të pafundme, por mund të kujtojmë vetëm rastin e fundit ku u morën masa të ashpra për të parën herë.
Në derbin mes Përmetit dhe Këlcyrë, ka pasur një rast dhune të paprecedentë, ku ekipi udhëtues ka dhunuar arbitrin e takimit në mënyrë barbare. Këtë herë u vendos drejtësi, pasi policia arreston agresorët, ndërsa Komisioni i Disiplinës vjen me dorë të hekurt.
Ekipi i Këlcyrës përjashtohet nga gara dhe tre futbollistë përjashtohen nga futbolli përjetësisht, nuk kanë munguar edhe dënime dy vjeçare. Ndoshta ky është rasti që edhe në futbollin shqiptarë të vendoset drejtësia, themi drejtësia sepse të mjafton një fundjavë të shëtisësh nëpër këto takime dhe do ta kuptosh se në çfarë niveli është.
KOMBËTARJA
15 qershor 2017 mbyllet një ndër ciklet më të suksesshme që ka njohur ndonjëherë historia e futbollit të kombëtares shqiptare. Gianni De Biasi jep dorëheqjen nga trajnerë i Shqipërisë, pasi realizoi ëndrrën e të gjithë shqiptarëve duke i kualifikuar në fazat finale të Evropianit 2016, në Francë.
Italo-shqiptari vendos të japë dorëheqje për të filluar një cikël të ri ky ekip me këtë djem dhe duke parë që shanset për të marrë pjesë në Botërorin Rusi 2018 ishin shuar, vendosi që ti lejë vendin dikujt tjetër që të përgatiste një ekip e të konkurronte denjësisht në kompeticionet e ardhshme.
Një gjest i madh ky nga një njeri që shkroi historinë me ata djem që kishte në kombëtare. “Përshëndetje, kjo është një fletë e eksperiencës sime në Shqipëri që nuk do doja asnjëherë të shkruaja. Kam menduar dhe medituar gjatë dhe ju them se nga sot nuk jam më trajneri i kombëtares sonë. Ndalem këtu sepse dua të mendoj për të mirën dhe rritjen e skuadrës. Mendoj se e kam bërë detyrën që më ka lejuar mua të nxjerr nga ky ekip më të mirën”, lexoi De Biazi në letrën e tij të dorëheqjes.
Christien Panucci
Por kujt do t’ia merrte mendja që zëvendësuesi i De Biasit do të ishte sërish një Italian. FSHF pasi ndjek shumë trajnerë të huaj vendos që pankinën do ta merrte Christien Panucci, një tjetër Italian që kishte ambicie të mëdha dhe një mentalitet loje ndryshe nga ajo që ishim mësua të shohim.
Menjëherë pasi merr emërimin Panucci do të fitonte 2-0 me Lihtenshteinin, një start fantastik për një trajner të ri. Ajo që ra më shumë në sy ishte mentaliteti që kishte italiani, mentalitet sulmues dhe të një futbolli të bukur.
Këtë e vërtetoi edhe në ndeshjet me ekipet më të mira në botë si Spanja dhe Italia. Edhe pse u mposhtëm në këto dy sfida Kombëtarja ka treguar një nivel loje të jashtëzakonshëm, duke krijuar raste pafund për shënim. Një sinjal i mirë për një ekip të ri. Gjë tjetër e veçantë për Panuccin ishte privatësia dhe serioziteti me lojtarët.
Konfirmimi që ai ka ide të qarta dhe që do të ndërtojë një ekip konkurrues u vërtetua në miqësoren me Turqinë, ishte ndesha e parë pa presion dhe ku ai pati mundësinë të testonte skema dhe lojtarët ashtu si ai do ti donte. Dhe rezultoi një sukses mjaft i madh, arrti të mposhte një ekip të fortë si Turqia, që ka në përbërje yje të mëdhenj.
Kjo ishte prova e parë edhe për Christian Panuccin që të merrte drejtimin e një kombëtareje apo të një ekipi të madh, pasi më parë kishte pasur një karrierë të shkurtër si trajner, me Livornon dhe Ternanën, ndërsa ka qenë ndihmës i Fabio Capellos te kombëtarja e Rusisë. Një epokë e re dhe një objektiv i ri për tu arritur, pasi që në fjalët e para si numri një i pankinës së Shqipërisë, Panucci u shpreh se objektivi ishte Euro 2020.
Lorik Cana
2017 ishte dh një nga më të vështira për Kombëtaren shqiptare, pasi lideri, kapiteni legjendarë do të dorëzonte shiritin përgjithmonë dhe do të varte këpucët në gozhdë. Është Lorik Cana, është kapiteni i të gjithë shqiptarëve që mbylli ciklin e tij të futbollit duke na lënë kujtimet më të bukura.
Ishte ai që drejtoi ekipin në suksesin historik, duke u kualifikuar në fazat finale të një kompeticioni prestigjioz se Euro 2016 në Francë. Shpirti dhe grinta që u jepte ai lojtarëve në fushë ka për të qenë një humbje e madhe për këtë kombëtare, ai do të jetë i pazëvendësueshëm.
Ceremonia e lamtumirës u organizua në “Loro Boriçi”, në prag të ndeshjes që Shqipëria zhvilloi me Italinë. Një moment mjaft prekës kur ai shkelmoi topin e fundit dhe të gjithë thërrisnin emrin e tij.
E mrekullueshme ishte edhe koreografia e tifozëve, të cilët shpalosën ë stadium një bluzë gjigante me numrin 5 dhe me mbishkrimin PËRGJITHMONË. Keqardhja më e madhe për Canën ishte mungesa në stadium e tifogrupit “TKZ”, të cilët ai i falënderoi dhe dha mirëkuptimin e tij që ata nuk ishin të pranishëm.
Fjalët e Canës para se të shkelmonte topin për herë të fundit: “Më vjen keq që “Tifozët Kuq e Zi” nuk do të jenë në stadium, po besoj edhe atyre ju vjen keq. Janë pjesë e pandarë e Kombëtares, pasi kanë themeluar grupin e parë të tifozëve. Ata përfaqësojnë çdo vlerë, me shqiptarë nga të gjitha trevat. Megjithatë, jemi sqaruar për këtë mungesë. Unë lamtumirën nuk mund ta zgjasja kaq shumë. E ardhmja? Nuk është prioriteti im të bëhem trajner. Do shoh të marrë një projekt, për të qenë drejtues në një klub. Djali? Të bëj çfarë ka dëshirë, unë do ta mbështes. Nëse është për të zgjedhur një sport, do t’i thosha të bëhej tenist”. Loriku mori një ofertë “live” për të qenë në TVSH si analist. “Patjetër, kur të kem ndonjë ftesë, do të vijë”.
Por lamtumira e tij nuk përfundon këtu, pas një legjendë e tillë me një karrierë aq të pasur do të nderohej edhe në Francë, ku u formua dhe si futbollist profesionist. Pikërisht në takimin mes Marseille dhe PSG, dy klube që Cana ka luajtur e thërritën që ta nderonin në lamtumirën e tij. Bashkë me Djibril Cisse ata u pritën në një atmosferë të zjarrtë ne “Velodrome”, ku shkelmuan topin e parë. Ky ishte edhe fundi i një kapitulli, i një legjende i cili dha maksimumin për fanellën kuqezi dhe tregoi në çdo stadium ku shkeli se ai e donte vendin e tij.
Igli Tare është duke bërë një karrierë të shkëlqyer tek ekipi i Lazios si drejtor teknik. Ai është përzgjedhur si mjeshtri i zbulimit të talenteve në Itali, pasi ka arritur të afrojë në ekip lojtërë për një shumë mjaft të vogël dhe sot mund të përfitojë nga ata miliona euro.
Mediat italiane kanë shkruar vazhdimisht për zotësinë që ka Tare dhe së fundmi ai ka pasur edhe një ofertë nga zyra më e fuqishme e transferimeve që drejtohet nga Jorge Mendes për të bashkëpunuar. Ai është kthyer në një nga shqiptarët më të suksesshëm në futbollin ndërkombëtarë në pozicionin e drejtuesit në një klub të huaj.
Romela Begaj
Një tjetër sukses i jashtëzakonshëm në vitin 2017 ishte dhe kurorëzimi i Romela Begajt kampione Bote në Peshëngritje, e cila u organizua në SHBA. Romela u rendit e para në stilin e shkëputjes duke fituar kështu medaljen e arit, ndërsa në dygarësh zuri vendin e dytë duke fituar medaljen e argjendtë.
Në shkëputje Begaj kreu 3 prova perfekte dhe ngriti 107 kg (rekord personal), ndërsa në shtytje ngriti 125 dhe 128 kg (rekord personal). Peshëngritësja shqiptare provoi 131 kilogramët, por nuk ia doli dhe pësoi një dëmtim serioz në shpinë, duke mbetur e shtrirë në tokë dhe duke u larguar me ndihmën e stafit të saj.
Ferit Keta
Shqiptarët kanë korrur sukses edhe në boks, ku mund të përmendim boksierin Ferit Keta i cili është shpallur Kampion i Gjermanisë. Ferit Keta është shpallur kampion i Gjermanisë në përballjen që kishte me boksierin gjerman Toni Thes.
Keta ka arritur të fitojë çmimin “Cruiser”, pas katër raundesh ku mposhti me “knock-out’ boksierin gjerman. Ishte vetëm takimi i 9 në boks për 29-vjeçarin dhe natyrisht që konsiderohet një arritje e madhe, duke pasur parasysh që sportisti shqiptar ka filluar ndeshjet në boksin profesionist vetëm 20 muaj më parë.
Ndeshja u zhvillua në Gjermani dhe ky është takimi i 8 që Ferit Keta zhvillon në këtë shtet, pas duelit të debutimit me serbin Haris Calakoviç në muajin shkurt të vitit të kaluar, në Tiranë në Pallatin e Sportit Asllan Rusi.
Vetëm katër muaj më parë 29-vjeçari fitoi titullin evropian në ISKA, në kikboks ndaj holandezit Rochel Gumuljo dhe gjerdanin e artë në atë takim ia dha i madhi Luan Krasniqi. Vlen të përmendet fakti që në sportin e boksit Ferit Keta nuk njeh asnjë humbje, duke fituar tetë nga tetë ndeshjet e zhvilluara, madje 63% prej tyre me knock out.
Ermal Kuqo
Ermal Kuqo bëhet shqiptari i parë që është pjesë e basketbollit elitar, NBA, por jo si basketbollist, por ai merr një rol drejtues tek gjigantët e Los Angelo Clipers. Në karrierën e gjatë si lojtar nuk arriti që të bëhet pjesë e kampionatit elitar të basketbollit.
Por atë që nuk e arriti me topin në dorë, Ermal Kuqo e realizon një vit pas tërheqjes nga basketbolli i luajtur. Shqiptari shtatlartë i koshit është bërë pjesë e kupolës drejtuese të Los Angeles Clipers. Ermal Kuqo do të mbajë pozicionin e Drejtorit Ndërkombëtar të Zbuluesve të Talenteve në skuadrën e njohur amerikane.
Izmir Smajlaj
Një shqiptar shpallet kampion Europe në Beograd të Serbisë ku u zhvillua Kampionati Europian i sallave të mbyllura. Izmir Smajlaj ngjitet në majën e podiumit me medalje të artë në garën e kërcimit së gjati pas një finaleje drithëruese.
24-vjeçari shkodran regjistroi hedhjen e artë në tentativën e gjashtë që ishte edhe e fundit me 8 metra e 8 centimetra. E kotë të thuhet në të tilla raste që Smajlaj vendosi edhe rekord kombëtar sepse 24-vjeçari shqiptar gdhendi emrin e tij në një nga evenimentet më prestigjioze të Europës. Shqipëria dhe atletika kuqezi tashmë kanë një simbol, Izmir Smajlaj ndriçon pishtarin e një epoke të re. TIRANA TODAY