Foto/ Vaksina anti-covid mbërrin në Britaninë e Madhe

Vaksinat anti-covid kanë mbërritur në Britaninë e Madhe. Sipas ”Daily Mail”, mbërritja e tyre ka ndodhur përmes një operacioni sekret, me kamiona të pamarkuar, për çështje sigurie.

Qeveria nuk ka dhënë asnjë informacion në lidhje me ngarkesën që kishin kamionët që mbanin vaksinat e Pfizer dhe Biontech. Një ditë më parë ishte Interpol që paralajmëroi se grupet kriminale do të tentojnë të merrnin vaksinat antiCovid, dhe nisur nga informacionet që qarkulluan në media kjo ishte një mënyrë e mirë për t’u ruajtur.

Vaksinat janë prodhuar në një fabrikë në Belgjikë, prej andej mbërritën në Britaninë e Madhe. Qeveria britanike ka konfirmuar mbërritjen e ngarkesës, por nuk dha asnjë detaj tjetër.

Britania është vendi i parë në botë që miratoi përdorimin e vaksinës anti-co*id, pasi autoritetet dhanë dritën jeshile pas provave që tregonin se ishte deri në 95 përqind efektive dhe e sigurt.