South Wales Evening Post
Një person u përpoq të shpëtonte nga dritarja e banjës kur policia arriti në një banesë ku zbuloi një fabrikë kanabisi.
Tahir Roci ishte në Caswell Street, Llanelli, kur policia arriti në mëngjesin e 23 prillit dhe i’u desh të hynte me forcë pasi prona ishte barrikaduar.
Sapo hynë brenda, oficerët zbuluan pajisje për rritjen e kanabisit dhe rreth 215 bimë kanabisi, si dhe një qese 52g kanabis bimor. Ishte ndërhyrë edhe tek sahati i energjisë elektrike.
“Prona ishte konvertuar në vend për rritjen e bimëve të kanabisit,” – tha prokurorja Georgina Buckley, në një seancë gjyqësore, në Swansea Civic Center, të premten.
“Pjesa e përparme e pronës kishte një dhomë të vetme me një shtrat, televizor dhe sende personale, dhe besohet se ky ishte vendi ku jetonte i pandehuri.
I pandehuri ishte në banjën e katit të parë duke u përpjekur të dilte nga një dritare“.
Gjykatës iu tha se vlera në rrugë e bimëve të sekuestruara ishte midis 64,000 dhe 100,000 £ (paund), ndërsa kanabisi bimor vlerësohej me 552 paund.
U zbulua gjithashtu se Roci kishte në zotërim një sasi parash.
Në përpjekje për të relativizuar ngjarjen, avokati mbrojtës, Tom Scapens i tha gjykatës se Roci është një shtetas shqiptar i cili mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar gushtin e kaluar dhe po kërkonte azil dhe më parë kishte shfaqur sjellje të mirë.
“Ai thotë se një rumun apo bullgar i ofroi këtë punë dhe ai e pranoi,” tha Scapens. “Ai e di që është e paligjshme, por nuk e dinte që ishte kaq serioze. Nuk ka asnjë njeri këtu; familja e tij është në Shqipëri dhe e dinë që është në burg.”
Roci, pa adresë fikse, u deklarua fajtor për vetëm një akuzë: për prodhimin e kanabisit.
Gjyqtari Niclas Parry tha: “Tetë muaj që ke qëndruar ilegalisht në këtë vend, ke kryer një krim. Ju ishit një detal shumë i rëndësishëm në një ingranazh shumë të madh. Droga e vlerësuar midis 60,000 dhe 100,000 £ është e qartë që ka qenë për qëllime tregtare. Po punoje për një strukturë shumë të sofistikuar. Rekomandimi im që të dëboheni pas dënimit mund të jetë vetëm një rekomandim sepse është çështje që i përket autoriteteve të tjera, por kjo çështje padyshim që do të mbahet shënim.”
Roci u dënua me 16 muaj dhe iu tha se do të shlyejë gjysmën e tij në paraburgim./Tirana Today