Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka vizituar sot Medvegjën, ku është pritur me mjaft interes dhe ngrohtësi nga shqiptarët.
Meta është takuar me qytetarët, ka biseduar me ta, ndërsa shqiptarët nuk e kanë humbur rastin për të shkrepur disa fotografi me të.
Presidenti Meta u prit nga kryetari i trupës koordinuese për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën në pikën kufitare Muitvodë. Më tej, ai u prit dhe nga Kryetari i komunës së Medvegjës, Nebojsha Arsic.
“Sot është një ditë shumë e bukur për mua. Kënaqësi që erdha në Medvegjë. Bashkëpunim në dobi të stabilitetit në rajon”, tha Meta ndër të tjera, ndërsa nuk ka munguar as interesimi i medies serbe.
Historiani Valon Jashari e konsideron vizitën nga një president shqiptar si të vonuar, ndërsa shton se ai u prit nga toka e Medvegjës teksa rinia shqiptare e ka braktisur këtë zonë.
“Edhe pse e vonuar kjo vizitë, është me rëndësi se për herë të parë Medvegja po e pret një President Shqiptar, por për fat të keq kjo pritje nuk do të ndodhë nga qytetarët e Medvegjës por, vetëm nga toka e Medvegjës nga e cila kanë mbetur vetëm 522 banorë shqiptar ku deri në vitin 1999 jetonin plot 4934 banorë shqiptar apo mbi 65 %”, shkruan Jashari.