Çmimi i vaksinave kundër Covid-19 të porositura nga Bashkimi Evropian, u bë më në fund publik por, në mënyrë aksidentale dhe vetëm për një kohë të shkurtër.
Eva De Bleeker, sekretarja e shtetit e buxhetit të Belgjikës, postoi në rrjetin social, Twitter një listë për çmimin e secilës vaksinë të blerë nga BE dhe sa do të shpenzojë Belgjika në total për vaksinat.
Ajo e fshiu menjëherë postimin, por agjencia belge e lajmeve, HLN arriti ta siguronte foton dhe ta publikonte atë.
Komisioni Evropian ka thënë se nuk mund të zbulojë çmimet e paguara për secilën vaksinë të koronavirusit, duke përmendur marrëveshjet e konfidencialitetit tregtar.
Sipas listës së publikuar nga HLN, Bashkimi Evropian po shpenzon midis 1.78 euro dhe 18 dollarë për dozë të vaksinës. Çmmi për dozë i shënuar për secilën nga gjashtë vaksinat ishte si më poshtë:
Oksford – AstraZeneca, 1.78 euro
Johnson & Johnson, 8.50 dollarë
Sanofi-GSK, 7.56 euro
BioNTech-Pfizer, 12 dollarë
CureVac, 10 dollarë
Moderna, 18 dollarë
Belgjika do të blejë më shumë se 33 milionë vaksina për një total prej 279 milionë euro.