Formula 1/ Hamilton më i shpejti në Imola, “pole position” e 99-ta në karrierë

Lewis Hamilton me Mercedes ka siguruar sot “pole position” në pistën italiane të Imola, e cila është e 99-ta në karrierë për pilotin britanik.

Ai dha kohën 1’14”411”, duke lënë pas dy makinat Red Bull të Sergio Perez e Max Verstappen.

Një paraqitje e mirë e Hamilton, që konfirmoi se makina gjermane është më e shpejta edhe pse diferencat me Red Bull janë të ngushta. Rezultat i mirë edhe për Ferrarin e Charles Leclerc, që u klasifikua në vendin e katërt.

Nuk dha atë që pritej Valtteri Bottas me makinën tjetër Mercedes, duke u kualifikuar i teti, ndërsa makina tjetër Ferrari, ajo e Carlos Sainz, do ta nisë garën nga vendi i 11-të. Dobët u paraqitën edhe veteranët Sebastian Vettel (i 13-ti) e Fernando Alonso (i 15-ti).