E diel, 16 Janar, 2022
2.5 C
Tirana

Formalizimi i fraksioneve si parandalim i përçarjes së PD

Nga Adri Nurellari

Gara e nisur për postin e kryetarit të Partisë Demokratike ka nxitur mes shumë të djathtëve frikën e përçarjes së partisë pas garës.

Dihet që sikurse në çdo garë, pas 13 qershorit, do të ketë një palë të fituar dhe tre kandidatë të pakënaqur, të cilët potencialisht për shkak të rezultatit mund të tentojnë që të bëjnë një skizmë të partisë.

Kjo gjë nuk është thjesht diçka hipotetike, sepse në të kaluarën Partia Demokratike ka pasur shkëputje serioze, duke nisur nga shkëputja e një bërthame themeluesish që krijuan Aleancën Demokratike në 1992 e vijuar mandej me Partinë Demokrate të Re në 1999.

Për të shkuar mandej te zgjedhjet e fundit parlamentare, ku pati disa parti me figura që kanë dalë nga Partia Demokratike, që i shkaktuan faturë të kripur PD-së. Kështu, për shembull, në rastin e Qarkut të Shkodrës, 1389 votat e djathta që ka marrë Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit do kishin mjaftuar për t’i siguruar një mandat tjetër PD-së.

Një gjë e tillë do të ishte fatale për PD-në dhe opozitën shqiptare, e cila ka nevojë për një unitet sa më të fortë kundër një qeverie që po përpiqet të gllabërojë e kontrollojë në mënyrë kapilare të gjitha pushtetet në Shqipëri. Ende është e freskët shija e hidhur e deputetëve të dalë nga lista e kandidatëve të partive opozitare, që nuk refuzuan linjën e partive përkatëse për të braktisur Parlamentin.

Të gjithë e mbajnë mend mirë se si u instrumentalizuan nga pushteti për të krijuar një farsë pseudo-opozitare në Parlament. Ata nga njëra anë sulmonin publikisht me fjalë Ramën e nga ana tjetër votonin gjithçka që vinte nga dora e tij, përfshi këtu edhe ndryshimet unilaterale të momentit të fundit në sistemin zgjedhor, të cilat i shkaktuan një kosto të pallogaritshme elektorale opozitës.

Megjithatë, pavarësisht këtij rreziku potencial, duhet thënë që nëse nuk përfundojnë me përçarje, garat e brendshme janë të shëndetshme dhe fitimtari që do dalë nga kjo garë do ketë shumë më shumë legjitimitet moral.

Për më tepër që demokracia e brendshme është një nga parimet kryesore të funksionit të partive politike e sanksionuar edhe me ligj.

Së pari, për të minimizuar frikën kolektive brenda së djathtës, për një përçarje potenciale duhet rikujtuar rezultati i partive të Topallit, Patozit dhe Murrizit, të cilat nuk siguruan dot një mandat. Mjafton ai rezultat për t’i dhënë një dush të ftohtë kujtdo që planifikon të krijojë një parti të re të djathtë me shpresën se mund të kafshojë diçka nga partia mëmë.

Së dyti formalizimi i fraksioneve mund të jetë një zgjidhje për të mbajtur partinë të bashkuar në diversitet dhe për të parandaluar largime apo skizma të mëtejshme. Fraksionet brendapartiake janë organizime normale të kudondodhura nëpër vendet me demokraci të konsoliduara dhe e kanë zanafillën që me hapat e para të demokracisë liberale.

Fraksionet e partive kanë ekzistuar që nga fillimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku studimet tregojnë se secila nga palët ka pasur brenda së paku dy grupazhe të mëdha. Ekzistenca e fraksioneve brenda partive është një dukuri e zakonshme që ka dominuar në shumicën e partive të mëdha të vendeve kryesore të Europës.

Në Itali quhen ndryshe “correnti” dhe kanë qenë për një kohë të gjatë dominuese brenda demokristianëve. Pak vite më herët, fraksioni euroskeptik i Partisë Konservatore të Britanisë së Madhe mori vëmendje të jashtëzakonshme me referendumin e suksesshëm për t’u larguar nga BE-ja.

Japonia gjithashtu njihet për fraksionet të fuqishme që quhen hobatsu, gara mes të cilëve ka karakterizuar jetën politike brenda Partisë Liberale Demokratike në pushtet. Shumë studiues të shkencave politike e konsiderojnë shumë pozitive praninë e fraksioneve brendapartiake, veçanërisht në një sistem të ngurtë dypartiak ose në një sistem politik me një parti hegjemonike si Japonia.

Ata gjykojnë se shpesh një sistem dypartiak nuk është në gjendje të përfaqësojë pozicione të ndryshme politike aktualisht të pranishme në vend dhe kjo mangësi kompensohet deri diku prej pluralizmit të fraksioneve brenda këtyre dy partive dominuese.

Nisur nga ky argument, Shqipëria ka nevojë më shumë se shumë vende të tjera për të aplikuar fraksionizmin brendapartiak, pasi dy partitë kryesore dominojnë vendin, kontrollojnë shumicën e burimeve, përcaktojnë rregullat e lojës e madje edhe administrojnë në mënyrë ekskluzive proceset zgjedhore me anëtarët e tyre.

Për rrjedhojë, në kushtet aktuale, sikurse edhe dëshmuan edhe këto zgjedhje që lamë pas, hyrja e partive të reja në Parlament është pothuaj e pamundur. Në të tilla rrethana lulëzimi dhe formalizimi i fraksioneve brenda dy partive të mëdha do të shërbente si nxitës pasurues i diversitetit dhe pluralizmit politik shqiptar.

Lexo edhe :   “Kishin planifikuar të derdhej gjak”, PD nxjerr emrat (VIDEO)

Nga ana tjetër, në sistemin e kaluar totalitar komunist prezenca e fraksioneve konsiderohej një akt i rëndë politik rreptësisht i dënueshëm.

Fjalori gjuhësor i kohës kur diktatori Hoxha ishte gjallë e përkufizonte fraksionin si: “Grup i organizuar i anëtarëve të një partie politike në vendet borgjeze e revizioniste, që për çështje të veçanta ka pikëpamje të ndryshme me vijën e përgjithshme të partisë dhe që e zhvillon veprimtarinë e tij brenda partisë në mënyrë të hapët; bashkim i fshehtë e i përkohshëm politik, i përbërë nga disa elementë armiq në gjirin e një partie komuniste, që përpiqen t’i kundërvihen vijës së përgjithshme marksiste-leniniste të saj. Fraksion armiqësor (kapitullues, përçarës). U shpartalluan fraksionet”.

Lexo edhe :   I kujtojnë vr*sjet e “21 Janarit”, gazetarët nga Kosova “masakrojnë” Berishën

Ndërsa fraksionist quhej: “Ai që bën pjesë në një fraksion, ai që merret me veprimtari fraksioniste, përçarës”, që me gjasa do pësonte dënimin me vdekje ose burgosjen në Burrel ose Spaç. Praktika tipike të partive perëndimore është ndërtuar e atillë që garanton disiplinën partiake njëherazi duke respektuar pluralizmin e brendshëm, përfshi këtu edhe institucionalizimin e fraksioneve.

Disiplina partiake kërkohet nga të gjitha partitë, të cilat presin që vendimet apo marrëveshjet që bëhen qëndrimi zyrtar i partisë, duhet të mbështeten publikisht nga të gjithë anëtarët, pavarësisht opinionit personal që mund të jetë ndryshe. Mirëpo, kjo nuk nënkupton që një anëtar i partisë detyrohet të gëlltisë personalisht gjithmonë vendimin apo pozicionin zyrtar të partisë për çështje të caktuara.

Mirëpo, atij ose grupimit të ndjekësve të tij i lejohet që të promovojë këndvështrimin e tij alternativ brenda partisë, si dhe që të synojë për një ndryshim të vullnetit të shumicës së anëtarësisë, duke punuar e bindur të tjerët në parti për të siguruar një shumicë të re në një rast të ardhshëm.

Pra, në rast se për tema të rëndësishme një funksionar ose fraksion i partisë nuk pajtohet me pozicionet zyrtare të partisë (të arritura në mënyrë demokratike e transparente), atij i jepet e drejta që të mos e mbështesë këtë vendim, por nuk i lejohet ta kundërshtojë atë në publik.

Kuptohet që nëse personi në fjalë ose fraksioni i tij del kundër shumicës së qëndrimit zyrtar të partisë, kjo gjë presupozon që ky anëtar ka një orientim goxha ndryshe nga partia. Në këtë rast, mbase edhe nuk e ka më vendin aty në këtë parti, me të cilën ka kaq shumë divergjenca.

Po ashtu, nëse një anëtar apo grupacion i partisë kundërshton në publik qëndrimet e rëndësishme të partisë (sidomos kur e bën këtë kundërshtim në periudha delikate me kosto të madhe për partinë, sikurse është fushata elektorale), atëherë edhe partisë me demokratike në botën perëndimore i lind e drejta legjitime për ta përjashtuar.

Ndërkaq, ka edhe rrethana specifike ku tolerohet ky kundërshtim, nëse tema apo çështja, për të cilën anëtari del në kundërshtim, konsiderohet “çështje e ndërgjegjes”.

Pra, partitë e mëdha perëndimore bëjnë përjashtim nëse vendimet politike apo legjislative zyrtare të partisë kanë të bëjnë qartë me çështje të ndërgjegjes personale. Pala nuk do të vendosë për një pozicion zyrtar të partisë me votimin e shumicës së brendshme, por ia lë ndërgjegjes së secilit anëtar të përcaktojë qëndrimin e tij personal.

Në këtë rast, pretendimet e një anëtari apo fraksioni për të kundërshtuar një qëndrim partie për shkak të ndërgjegjes personale duhet medoemos të ketë të bëjë me një çështje që prek besimin fetar të dikujt ose me një temë themelore etike ose morale.

Për shembull, nëse dikush është shumë fetar dhe për shkak të besimit të tij nuk pranon lehtësimin e rregullave për abortet. Kështu është edhe rasti ta zëmë i një besimtari të dëshmitarëve të Jehovait që për shkak të doktrinës fetare refuzon të mbështesë një vendim partiak që ka të bëjë me luftën.

Megjithatë, këto janë raste tejet të rralla e periferike. Për t’u rikthyer te rasti i Partisë Demokratike, e cila ka meritën e madhe të nisjes së tranzicionit dhe sjelljes së demokracisë në Shqipëri, tashmë ka edhe përgjegjësinë e madhe të konsolidimit të mëtejshëm të saj.

Këtë mund ta bëjë më së miri duke reformuar statutin e saj për të formalizuar fraksionet, gjë që do të akomodonte figurat e tjera të spikatura të partisë e sidomos të pakënaqurit. Thënë ndryshe, formalizimi i fraksioneve do t’i jepte fund praktikës së deritanishme ku “fitimtari fiton gjithçka” e do t’u jepte humbësve në garën e 13 qershorit perspektivën e bashkëjetesës brenda Partisë Demokratike.

Nuk është rastësi që SHBA-të, një shtet i superlarmishëm që ka ruajtur unitetin prej 245 vjetësh, kanë si moto zyrtare shprehjen “E pluribus unum”. (Nga shumë, një)./panorama.al

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Shuhet legjenda e futbollit shkodran, e mundi sëmundja

Një sëmundje e rëndë ka mposhtur legjendën e futbollit shkodran, Ramazan Rragami, i cili u shua në moshën 77-vjeçare. Rragami vuante prej vitesh nga një...

Falsifikimi i dokumenteve/Gjykata liron nga burgu vëllain e Sheila Haxhiraj

DVP Lezhë në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe atë të Elbasanit, finalizuan operacionin “Identiteti”. Nga finalizimi i operacionit, pas tre muajsh hetime, u zbulua...

Misteri afrikan: Pse C*vid-19 ka shkaktuar më pak vdekje se kudo tjetër?

Nga: Federico Giuliani “Il Giornale Është një kontinent i madh, rreth 7 herë më i madh sesa Bashkimi Evropian, dhe i banuar nga pothuajse 1.5 miliardë...

“Basha është pronar i basteve”/PD ia kthen Berishës: Mashtrues kronik!

Partia Demokratike ka përgënjeshtruar akuzat e ish-kryeministrit Berisha, ku tha se kryedemokati Basha është pronar i basteve. Shigjetimet e Berishës ndaj Bashës erdhën nga...

Zgjedhjet lokale, kurthi pervers i Metës për Bashën

Nga: Andi Bushati Pak kohë përpara se Gjykata Kushtetuese të vendosë nëse Presidenti i Republikës e ka tejkaluar rolin e tij për të qënduar mbi...