Franca ka njoftuar për lehtësim të disa masave të vendosura për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Presidenti Emmanuel Macron tha se duke filluar nga e hëna kafenetë dhe restorantet mund të hapen në vend. Gjithashtu ai njoftoi se do të lejohet udhëtimi në shtetet tjera të Bashkimit Evropian.
Ky vendim ka ardhur teksa një numër shtetesh në Evropë kanë rihapur kufijtë e tyre, në mes të bllokut evropian nga dita e hënë.
Në një deklaratë për mediat, Macron tha se Franca ka arritur “fitoren e parë”, mirëpo ka paralajmëruar për kthim të mundshëm të virusit.
“Prej nesër, ne do të jemi të gatshëm të nisin një kapitull të ri në territorin tonë”, tha ai.
Nga dita e hënë do të hapet edhe gjithë rajoni i Parisit, i cili ka regjistruar numrin më të madh të rasteve të prekura me koronavirus.
Macron deklaroi se edhe shkollat do të rihapen nga 22 qershori, përveç për nxënësit e shkollave të mesme.
“Vera e 2020-ës do të jetë si asnjë tjetër dhe neve do të na duhet të vëzhgojmë zhvillimin e pandemisë, në mënyrë që të jemi të përgatitur me fuqi të reja, në rast se virusi kthehet sërish”, shtoi ai.
Sipas Worldometers, Franca ka regjistruar deri më tani mbi 157 mijë raste infektimi dhe mbi 29 mijë viktima.