Shqipëria ka kryer “detyrën” përballë Moldavisë, duke i mposhtur me rezultatin e pastër 2 me 0 në “Elbasan Arena”. Gjithçka është vendosur në pjesën e dytë me gola të Sokol Cikalleshit në minutën e 66′ pas një aksioni të mirë me Uzunin dhe Roshin dhe Ylber Ramadanit. Kuqezinjtë edhe pse përballë kishi9n një kundërshtar të dobët, treguan se akoma nuk janë në formën më të mirë, ku sulmi çalon më shumë.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-0. 45 minutat e para nuk dhuruan shumë, pak raste për tanët. Hysaj humbi një rast ideal në minutën e 4′, pasi nuk devijoi një top vetëm pak metra larg portës së mbrojtur nga portieri kundërshtar.
Sadiku në minutën e 23′ lëshoi një goditje nga jashtë zone, por që gjeti reagimin e mirë të Koselev. Lenjani nuk e devijoi në rrjetë. Në fundin e pjesës së parë pretenduam për penallti në minutën e 30′, por për gjyqtarin kryesor nuk ishte prekje e topit me dorë. Pjesa e parë mbyllet 0-0 dhe na shfaq sërish një ekip të brishtë.
Goli i Cikalleshit on Vidnews.
Në pjesën e dytë e nisim me një tjetër vrull dhe arrijmë të zhbllokojmë rezultatin vetëm në minutën e 66′. Një aksion i mirë i Uzunit që pason për Roshin. “Raketa kuqezi” e fut për Cikalleshin dhe arrin ta dërgojë për 1-0. Kur mendohej se gjithçka do të mbyllej me rezultatin 1-0, Ylber Ramadani shënoi për 2-0 me një goditje nga jashtë zone.
Shqipëria ndodhet në vendin e katërt me 6 pikë, pasi ka fituar ndaj Andorrës dhe Moldavisë. Franca fitoi 4-0 ndaj Andorrës, ndërsa Islanda fitoi 2-1 ndaj Turqisë.
Por teksa po zhvillohej ndeshja midis Shqipërisë dhe Moldavisë në “Elbasan Arena”, një grup tifozësh kuqezi kanë shpalosur një banderolë të madhe “Rama ik”.
Mësohet se grupi i tifozëve janë pjesë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike që me sa duket po shfrytëzojnë ndeshjen për të çuar mesazhin që ata duan edhe tek sportdashësit.