E hënë, 6 Dhjetor, 2021
11.5 C
Tirana

Fitore për demokracinë gjermane, siguri për Europën

Nga: Xhezair Zaganjori

Procesi zgjedhor në Gjermani ka më shumë se një javë që është përmbyllur. Rezultati u dha që në mesnatën e 26 shtatorit, ditës kur u zhvilluan zgjedhjet. Janë bërë e vazhdojnë të bëhen komente të shumta, sepse përmes tyre do të përcaktohen forcat politike që do të drejtojnë për katër vite me rradhë Gjermaninë, vendin më të madh të Europës Perëndimore si përsa i përket numrit të popullsisë, ashtu edhe potencialit e fuqisë ekonomike. Nga ana tjetër, edhe roli i saj udhëheqës në Bashkimin Europian dhe në politikën botërore në tërësi, është unik dhe i pazëvëndësueshëm.

Megjithatë, duhet pritur. Koalicionet në Gjermani nuk krijohen thjeshtë mes Kryetarëve të partive apo me shtrëngimin e duarve. Ka një traditë mjaft të mirë e të konsoliduar në dekada, përmes së cilës kërkohet që pasi bihet dakort në parim për qeverisjen e përbashkët, koalicioni respektiv i partive parlamentare duhet të përfundojë një marrëveshje apo një kontratë të vecantë, ku fiksohen me hollësi prioritetet, objektivat dhe masat konkrete që duhen ndërmarrë Qeveria e re. Kjo kontratë është busulla kryesore e orientimit të punës në katër vitet e ardhshme.

Por ndërkaq, programet qeverisëse të partive politike gjatë fushatës zgjedhore sigurisht që ndryshojnë shumë me njëratjetrën në mjaft drejtime. Kështu ndodh edhe me forcat politike që bien dakort të krijojnë koalicion për qeverisjen e vëndit. Ky proces ndërlikohet edhe më shumë kur në koalicion ka më shumë se dy forca politike. Prandaj negociatat zgjasin me muaj. Katër vjet më parë, ato zgjatën më shumë se gjysëm viti, nga shtatori 2017, deri në marsin e viti 2018, pasi Liberalet (FDP) u tërhoqën pikërisht për shkak të mosrënies dakort për disa nga pikat e programit, duke prishur dakortësinë paraprake për krijimin e Koalicionit Xhamajka (CDU/CSU + FDP + Te Gjelbertit, që kanë tre ngjyrat e flamurit të Xhamajkes, respektivisht të zezë, të verdhe dhe të gjelbër).

Kjo bëri që të vazhdonte edhe për katër vite të tjera, deri në vitin 2021, koalicioni mes dy partive të mëdha, CDU/ CSU dhe SPD (Koalicioni Groko, nga shkurtimi i fjalëve Grosse Koalition). Përballë këtij realiteti, të duket me vënd “lutja” e mjaft gazetarëve dhe analistëve që bisedimet për krijimin e koalicionit qeverisës dhe hartimi i programit të përbashkët politik, këtë herë të përfundojnë të paktën deri rreth 20 dhjetorit të këtij viti, pasi pavarësisht qeverisjes përgjithësisht të suksesshme të Merkelit në 16 vite, “nuk do të ishte aspak normale për gjermanët të dëgjonin për të 17-tën herë rradhazi urimet zyrtare për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, nga i njëjti Kancelar”.

Sidoqoftë, vlerësimet për zgjedhjet parlamentare të 26 Shtatorit 2021 në Gjermani janë kudo tepër pozitive. Ato plotësojnë standartet më të mira që duhet të zbatojë realisht një demokraci si formë e qeverisjes: Fushata zgjedhore, megjithëse shumë e gjallë e intensive, ishte mjaft e qetë; Programet politike ishin të qarta e të pasura në ide, duke ju përgjigjur më së miri dinamikës së zhvillimeve bashkëkohore dhe proceseve integruese në nivel kombëtar, europian e global; Pjesëmarrja në zgjedhje ishte tepër e lartë, 76,6 %, duke vazhduar kështu traditën e mirë të pjesëmarjes masive në Gjermani në shprehjen e vullnetit popullor, gjë që tregon përgjegjshmëri të lartë qytetare dhe ndikon dukshëm pozitivisht në legjitimimin e pushtetit politik.

Nuk ka patur as edhe kontestimin më të vogël për rezultatin e zgjedhjeve, aq më tepër që për herë të parë, edhe për shkak të Pandemisë, rreth 40% e zgjedhësve kanë votuar përmes kutive postare; Po kështu, për herë të parë, pesë nga gjashtë partitë politike që do të jenë tashmë në Bundetag, do të kenë një përfaqësim me mbi 10% në organin përfaqësues, duke ju krijuar mundësinë sejcilës prej tyre të luajnë rol të rëndësishëm në jetën politike e shoqërore të vëndit; Lajm tjetër shumë i mirë është edhe fakti se katër prej tyre konsiderohen gjërësisht si parti me program e veprimtari demokratike, e njëkohësisht edhe si promovuese e mbështetëse të integrimit Europian dhe bashkëpunimit të ngushtë me NATO-n.

Pikërisht këto katër parti do të negociojnë mes tyre edhe për krijimin e koalicionit qeverisës. Ato janë: a)Partia Socialdemokrate (SPD) , që fitoi 25,7% të votave; b)Bashkimi Kristian Demokrat/Bashkimi Kristian Social (CDU/CSU, ose Unioni), që fitoi 24/1% të votave; c)Të Gjelbërtit, që fituan 14,8% të votave; si dhe d)Partia Demokratike e Lirë (FDP, ose Liberalet), që fituan 11,5% te votave. Pervec këtyre katër partive, me mbi 10% është edhe Alternativa për Gjermaninë (AfD), që fitoi 10,3% të votave. Kjo parti që i perket spektrit të djathtë politik, nuk konsiderohet si parti me vlera demokratike.

Për këtë arsye, katër partitë e mësipërme (SPD, CDU/CSU, Të Gjelbërtit dhe FDP), kanë deklaruar se nuk janë të gatshme për të negociuar me atë për krijimin e koalicionit qeverisës. Grupimi i fundit apo grupimi i gjashtë politik që do të përfaqesohet në Bundestag është ai i Të Majtëve, trashëgimtarë të Partisë Komuniste të ish Gjermanisë Lindore, të cilët deklarojnë se në veprimtarinë e tyre udhëhiqen nga idealet e Roza Luksenburgut dhe Karl Libknehtit. Në zgjedhjet e 26 Shtatorit, kjo parti fitoi 4,9% të votave. Me këtë rezultat nuk duhej të përfaqësoheshin në Bundestag, pasi pragu për hyrjen në Parlamentin Gjerman është 5%, në nivel kombëtar. Por kriteri i dytë ligjor që shmang kushtin e parë, është fitimi i tre mandateve direkte nga partia politike respektive. Meqenëse Të Majtët morën me 26 Shtator tre mandate direkte, ato do të kenë të drejtë të përfaqësohen në Bundestag me grupin e vet parlamentar, qe kete rradhë do të jetë me 39 deputetë (në vitin 2017, Të Majtët kanë fituar 9,2% të votave).

Me këtë numër deputetësh, kjo parti nuk shihet me interes për krijimin e koalicionit qeverisës në nivel federal. Unioni (CDU/ CSU) e përjashton tërësisht mundësinë e bashkëpunimit me këtë parti në cdo nivel të qeverisjes, ndërsa SPD dhe Të Gjerbertit bashkëpunojnë me atë në nivel landi, konkretisht në Brandenburg, në Berlin, në Bremen dhe në Tyringen (për më tepër, në Tyringen, Të Majtët kanë edhe shumicën në parlamentin e landit, e për këtë arësye edhe Kryeministrin e këtij landi, Bodo Ramelov). Përvec gjashtë grupimeve politike të mësipërme, këtë herë në Bundestag do të përfaqësohet me një deputet edhe grupimi politik SSË (Aleanca e Zgjedhësve të Shlesvigut Jugor), e cila mbron interesat e minoritetit danez në landin verior te Gjermanise, Shlesvig-Holstajn. Për partitë politike minoritare, prej disa viteve në Gjermani, nuk zbatohet kriteri i pragut zgjedhor të përfaqësimit me mbi 5% në nivel kombëtar.

SISTEMI ZGJEDHOR NË GJERMANI:

Zgjedhjet parlamentare për në Bundestagun gjerman realizohen përmes një sistemi zgjedhor të përzier e të ndërlikuar. Megjithatë, mund të thuhet se formalisht ai duket në fillim si sistem mazhoritar, por në thelbin e tij është proporcional. Konkretisht, për ta bërë më të lehtë për lexuesin theksojmë se i gjithë territori i Republikës Federale Gjermane me një popullsi prej rreth 83 milion banorë, ndahet në 299 zona zgjedhore. Në sejcilën prej tyre, pavarësisht numrit të kandidatëve konkurues brënda një zone, del vetëm një fitues me mandat deputeti, ai që thjeshtë merr numrin më të madh të votave. Cdo land (janë 16 lande) ka një numër të caktuar zonash zgjedhore, në përputhje me numrin e zgjedhësve, i cili duhet të jetë i përafërt për të 299 zonat zgjedhore të Gjermanisë.

Kështu, landi me numrin më të madh të zonave zgjedhore është Nordrhein- Ëerstfalen, që ka 64 të tilla, sepse ka rreth 19 milion banorë. Landi i dytë për nga numri i zonave zgjedhore është Bavaria, që ka 46 të tilla. I treti është Baden-Ëurtemberg me 38 , e të tjerë. Landi më i vogël për nga numri i zonave zgjedhore është Bremen, me 2 zona zgjedhore, i ndjekur nga Saarlandi me 4, Hamburgu e Meklenburg-Vorpomern me nga 6 sejcila, e të tjerë. Ditën e zgjedhjeve, cdo votues ka në dorë një fletë të vetme votimi, të ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë shënohen në mënyrë nominale kandidatët konkurues, ndërsa në pjesën e dytë, partitë politike që janë në garën zgjedhore.

Pra zgjedhësi duhet të bëje dy shënja në kutinë përkatëse të fletës së votimit, në njërën zgjedh kandidatin konkret, ndërsa në tjetrën, partinë politike që preferon. Nga numërimi i votave, dalin fillimisht 299 fituesit e 299 zonave zgjedhore. Zona më interesante në zgjedhjet më të fundit, ishte ajo me numër 61 në qytetin e Potsdamit të Landit të Brandenburgut, pasi aty kandidonin njëkohësisht dy nga tre kandidatët për Kancelar, konkretisht Olaf Scholz i Socialdemokratëve, dhe Analena Berbok e Të Gjelbërtve. Fitoi qartazi Scholz me 33,9% të votave, ndërsa Berbok mori vetëm 18,8%.

Më pas numërohen votat e dhëna për partitë politike. Numri i deputeteve që zgjidhen në këtë fazë, duhet të jetë minimalisht i përafërt me numrin e deputetëve të zgjedhur direkt nga 299 zonat zgjedhore. Pra në total, numri i deputeteve të Bundestagut nuk mund të jetë më i vogël se 600. Por, sipas legjislacionit gjerman, numri përfundimtar i deputetëve të Parlamentit gjerman është i hapur, pra pa cati, sepse ai duhet të pasqyrojë në mënyrë sa më të përpiktë raportet në përqindje që ka fituar cdo parti politike në nivel kombëtar, mjafton që të ketë kaluar pragun zgjedhor prej 5%.

Mbi bazën e kësaj përllogaritje përcaktohet edhe numri përfundimtar i deputetëve. Për shkak të rritjes së konkurencës politike dhe të numrit të partive parlamentare që kapërcejnë pragun zgjedhor, numri i deputetëve të Bundestagut ka ardhur gjithnjë duke u rritur. Kështu, pas zgjedhjeve të vitit 2005, numri i deputeteve ka qene 614; Në vitin 2009, ky numër ka qënë 622; Në vitin 2013, ka qënë 631;

Në vitin 2017, ka qene 709; Ndërsa tani, në vitin 2021, është përllogaritur që numri i deputetëve do të jetë 735. Këto deputete merren me rradhë sipas renditjes në listat që harton cdo parti respektive në cdo land të Gjermanisë. Këtu duhet të jetë e qartë që këto lista nuk hartohen as nga Kryetari apo drejtuesit qëndrorë të partisë dhe as nga drejtuesit lokalë të saj, por vetëm nga anëtarësia e zonës zgjedhore përkatëse.

Duke patur parasysh sa më sipër, konkretisht, gjashtë partitë parlamentare, bazuar në perqindjet e fituara në nivel kombëtar në zgjedhjet e 26 Shtatorit 2021, në Bundestagun me 735 deputetë, do të kenë: SPD-206 deputetë (53 më shumë se në 2017); CDU/ CSU-196 deputetë (50 më pak se në 2017); Të Gjelbërtit-118 deputetë (51 më shumë se në 2017); FDP-92 deputetë(12 më shumë se në 2017); AfD-83 deputetë (11 më pak se në 2017); Të Majtët-39 deputetë (30 më pak se në 2017); dhe së fundi, partia e minoritetit danez SSË, me 1 deputet. Nga një përllogaritje e thjeshtë, rezulton se në një parlament me 735 deputetë, shumica absolute e nevojshme për të krijuar e mbështetur Qeverinë, duhet të ketë minimalisht 368 deputetë.

SITUATA PASZGJEDHORE DHE KOALICIONET E MUNDSHME:

Nga të dhënat zgjedhore, duket që partia më e humbur rezulton Unioni CDU/CSU. Ajo ka marrë rezultatin e saj më të ulët që nga zgjedhjet e para parlamentare të zhvilluara në Gjermaninë Federale në vitin 1949. Në 19 zgjedhjet e mëparshme parlamentare të zhvilluara në RFGj gjatë këtyre 72 viteve, CDU/CSU ka dominuar dukshëm skenen politike gjermane. Gjatë kësaj periudhe, ajo ka drejtuar Qeverinë Federale në 52 vite, ndërsa Socialdemokratët (SPD) në 20 vite. Dhe gjatë këtyre 52 viteve, CDU/CSU ka qeverisuar kryesisht me 4 Kancelarë; 1) Në vitet 1949-1963 me Konrad Adenauerin, i cili organizoi rimëkëmbjen e vëndit të shkatërruar nga lufta dhe fillimin e ndryshimit të imazhit gjerman në Europë e në Botë; Orientoi aleancën e ngushtë me Perëndimin, e vecanërisht me ShBA; Bashkëideoi e hodhi hapat e parë të integrimit europian, me krijimin e Komunitetit Europian të Qymyrit e Celikut e më pas të Komunitetit Ekonomik Europian, e të tjerë; 2)

Me Kancelarin Ludëig Erhard, i cili me reformat e thella, të zgjuara e të guximshme të viteve 1963-1966 realizoi Mrekullinë Ekonomike gjermane dhe Ekonominë Sociale të Tregut; 3) Me Kancelarin Helmut Kohl, i cili në vitet 1982-1998 forcoi në mënyrën më shembullore aleancën e ngushtë me ShBA (me Presidentet Regan, Xhorxh Bush dhe Klinton); E bëri Gjermaninë lokomotivë të Bashkimit Europian dhe nxiti zgjerimin e bashkëpunimit në BE edhe në fushën politike dhe cështjet e brëndshme; Menaxhoi e realizoi në mënyrë të mrekullueshme bashkimin e Gjermanisë…; 4) Me Kancelaren Angjela Merkel, e cila në vitet 2005-2021: Forcoi ekonomisht Gjermaninë;

Realizoi reforma të rëndësishme për thellimin dhe zgjerimin e integrimit në Bashkimit Europian; Përballoi me sukses krizën ekonomike e financiare në BE të viteve 2007-2009, e të tjere. Vetëm dy herë gjatë historisë 72 vjecare të Gjermanisë së pas Luftës së Dytë Botërore, SPD ka marrë rezultat më të mirë zgjedhor se kundërshtari politik kryesor i saj, Unioni CDU/ CSU: a) Në vitin 1972, kur nën drejtimin e Vili Brandit mori 46% të votave, kundrejt 45% të CDU/CSU, dhe b)Në vitin 1998, kur SPD me kandidatin për Kancelar Gerhard Schrëder, mori 41% të votave, kundrejt 35% të CDU/CSU. Në vitin 2002, rezultati mes Unionit dhe SPD ka qënë pat, 38,5% me 38,5%. Në të gjitha 16 zgjedhjet e tjera parlamentare, CDU/CSU ka marrë rezultat dukshëm më të mirë se SPD. Qeverisja e SPD në vitet 1969- 1972; në vitet 1976-1980 si dhe në vitet 1980-1982, megjithëse me rezultat më të ulët se CDU/CSU, ka ardhur për shkak të koalicionit të saj (pra të SPD) me Liberalet (FDP). Rezultati shumë i dobët i CDU/ CSU në zgjedhjet e 26 Shtatorit vjen disi papritur, pasi deri rreth një vit e gjysëm më parë, pavarësisht problemeve, sondazhet tregonin një diferencë të madhe, deri në dyfish të saj me SPD (32% per CDU/CSU dhe 16- 17% për SPD).

Ndër shkaqet kryesore të kësaj renie dramatike brënda një kohe relativisht të shkurtër, përmënden ndër të tjera: Problemet e lindura nga pranimi vitet e fundit i një numri të konsiderueshem refugjatësh, të ardhur kryesisht nga Lindja e Mesme dhe vëndet e Europës Juglindore; Gabimet në menaxhimin jo të mirë të Pandemisë, vecanërisht gjatë fazës së saj të dytë; Deklarimin që para tre viteve të Kancelares Merkel se do të jepte dorëheqjen nga drejtimi i partise (CDU-se), duke krijuar kështu një vakum ndërmjet elektoratit dhe qeverisjes, aq me tepër që kjo parti i ka parë tradicionalisht këto dy funksione të lidhura ngushtë me njëritjetrin; Mbështetja thuajse haptazi nga Kancelarja Merkel e kandidatëve për kryetar partie të promovuar prej saj, fillimisht të znj.Anegret Karrenbauer e më pas të Kryeministrit të Landit Nordrhein-Westfalen, z.Armin Lashet, të cilet nuk gëzonin reputacionin maksimal si në popull, ashtu edhe brënda rradhëve të CDU-së; e të tjerë. Në këto kushte, situata aktuale në CDU paraqitet shumë e dyzuar.

Nga njëra anë është një pjesë e mirë e kryesisë dhe anëtarësisë së CDU-së që mendojnë se ky realitet i ri duhet pranuar. Ky grupim i CDU-se kërkon që Lashet të urojë zyrtarisht për fitoren kandidatin për Kancelar të SPD, Olaf Scholz, ndërsa vetë CDU duhet të riorganizohet, të zgjedhë kryetarin e ri të partisë dhe të mendojë seriozisht për të bërë një opozitë parlamentare sa më të fortë, gjë që do ti krijonte mundësinë të fitonte sërish zgjedhjet e radhës në vitin 2025, ashtu sic ka bërë thuajse gjithnjë gjatë gjithë periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore. Në këtë grupim dallohen sidomos ish kandidatët e 2-3 viteve të fundit për Kryetar të CDUsë, Jens Spahn, Norbert Rottgen dhe Fridrich Merz. Vecanërisht ky i fundit bëri thirrje për nxjerrjen sa më parë të CDUsë nga plogështia dhe për të mos humbur kohë duke vajtuar humbjen, por të fillohet menjëherë për të menduar ndryshe e më seriozisht për vëndin dhe për njerëzit, duke i rikthyer kësaj partie gjallërinë dhe profilin historik. Po kështu, ato vënë në dukje se kryetari i ri i opozitës parlamentare duhet të jetë njëkohësisht edhe Kryetar i CDU-së.

Për më tepër, ato shtojnë se edhe në rastin e dështimit përfundimtar të negociatave mes Socialdemokratëve, Të Gjelbërtve dhe Liberalëve, duke krijuar mundësinë për krijimin potencial të Koalicionit Xhamajka, CDU/CSU duhet të propozojë në detyrën e Kancelarit Kryeministrin e Landit të Bavarisë Markus Soder, dhe jo z.Lashet, pasi ky i fundit konsiderohet përgjegjës kryesor për rezultatin negativ të Unionit në zgjedhjet e 26 Shtatorit. Por nga ana tjetër Lashet dhe ekipi i tij nuk dorezohen kollaj. Ato përpiqen me cdo kusht të bëjnë për vete FDP dhe Të Gjelbërtit, me shpresën qe keto dy parti të mos bien dakort për qeverisje të përbashkët me SPD, duke i kthyer kështu sytë më pas drejtë Unionit CDU/CSU që ndodhet në vënd të dytë.

Për më tepër, përflitet që si këmbim për këtë zgjidhje, Lashet u ka ofruar Të Gjelbërtve mundësinë që vitin që vjen, pra në vitin 2022, CDU të mbështesë zgjedhjen e politikanes së tyre të njohur Katrin Goring-Eckardt, si Presidente të Gjermanisë. Por në fakt, ne pergjithesi vihet ne dukje se Koalicioni Xhamajka ka pak mundësi të realizohet në praktikë. Ajo shihet më shumë si përpjekja e fundit e Lashet për tu bërë Kancelar, e biles edhe për të qëndruar apo jo në politikë. Dalja në opozitë e CDU-së sigurisht që mund të shoqërohej normalisht me dorëheqjen e tij si Kryetar i kësaj partie. Por ndërkaq, Të Gjelbërtit, që gjatë fushatës elektorale kanë deklaruar qartësisht se aleati më i preferuar i tyre për koalicion të mundshëm qeverisës është SPD.

Nga ana tjetër, FDP si parti tradicionale dhe shume serioze, e konsideron detyrim ligjor e kushtetues të negocioje në mënyrë konstruktive e angazhim maksimal me forcën politike fituese, pra SPD. Për më tepër, strategjia e gjertanishme e FDP dhe Të Gjelbërtve ka qënë dakortësia paraprake me njëritjetrin, në mënyrë që të unifikojnë e maksimalizojnë qëndrimet për të qënë partnere sa më të barabartë në qeverisje. Kjo do ti ndihmonte jo vetëm në elaborimin e cështjeve të caktuara të programit politik dhe marrjen e sa më shumë përgjegjësive në drejtimin e reformave, por edhe në rritjen e mëtejshem të përkrahësve të tyre në shtresa të ndryshme të popullsisë.

Pikërisht për këtë arsye, ato janë paraqitur këto ditë së bashku me tezën se tashmë përfaqësojnë qendrën e politikës gjermane, në rivalitet të plotë me dy forcat politike tradicionale, CDU/CSU që i përkasin qendrës së djathtë, dhe SPD, që i përket qendrës së majtë. Të Gjelbërtit dhe FDP shtojnë gjithashtu se sëbashku kanë tani më shumë deputetë në Bundestag se sa fituesit Socialdemokratë, respektivisht 210 ( 118 Të Gjelbërtit e 92 Liberalet), kundrejt 206 të SPD. Sipas tyre, kjo duhet patur parasysh edhe në marrëveshjen potenciale të koalicionit trepalesh (i quajtur ndryshe Koalicioni Semafor, për shkak të tre ngjyrave të ndryshme me të cilat përfaqesohen tradicionalisht këto parti; e kuqe (SPD), e verdhë (FDP) dhe e gjelbër).

Përvec dy koalicioneve të mësipërme, “Semafor” e “Xhamajka”, parimisht ka edhe konstelacione të tjera të mundshme për krijimin e Qeverisë. Përjashtohet në këtë rast koalicioni Kuq-Kuq-Gjelbër,(SPD, Të Majtët, Të Gjelbërtit), i cili u sulmua ashpërsisht gjatë fushatës elektorale nga CDU, si rrezik serioz për ndërtimin e një Qeverie me elementë të ekstremit të majtë. Kjo edhe për faktin e thjeshtë se ashtu sic është theksuar më sipër, me rezultatin e shpallur zyrtarisht, ky koalicion do të kishte 363 deputete (206+39+118), në një kohë që minimumi i shumicës absolute për të bërë të mundur krijimin e Qeverisë së re, aktualisht duhet të jetë jo më pak se 368 deputetë. Po kështu përjashtohet këtë herë edhe koalicioni i madh SPD + CDU/CSU (Koalicioni Groko, që tashmë do të kishte 402 deputetë), megjithëse ato kanë qeverisur sëbashku në tetë vitet e fundit (2013- 2021). Të dy forcat politike janë shprehur qartë që për shumë arësye nuk e duan koalicionin me njëritjetrin. Për më tepër, ka patur gjithashtu edhe kritika në rritje, që dy forcat kryesore politike të mos qeverisin sëbashku, sepse në këtë mënyrë, qeverisjes se vendit do ti mungonte opozita e shendoshe, si institucion shume i rendesishem i demokracise. Teorikisht mund të krijohet edhe Koalicioni Flamur (Flamuri gjerman: zi, kuq dhe verdh-CDU/CSU + SPD + FDP) apo Koalicioni Kenia (Kuq, zi dhe gjelberSPD+CDU/CSU+Të Gjelbër), por në situatën konkrete, edhe këto koalicione vlerësohet se nuk kanë shanse reale.

Megjithatë, përsërisim se bisedimet dypaleshe mes katër partive kryesore parlamentare vazhdojnë cdo ditë. Ato u zhvilluan edhe gjatë fundjavës së kaluar. Diten e djeshme, te marten me date 5 Tetor, per here te pare u takuan zyrtarisht edhe CDU me Te Gjelbertit. Lashet doli nga takimi shume i entuziazmuar, duke theksuar se pengesat qe ekzistojne mes programeve te dy partive i shihte si te kapercyeshme. Jane planifikuar nderkaq edhe shume takime te tjera dypaleshe brenda kesaj jave. Konsultohen për cështje nga më të ndryshmet të programeve politike, si: Lidhur me pagën minimale për cdo orë punë; Cështjet e ambientit dhe qëndrimet ndaj Marrëveshjes së Parisit për Mbrojtjen e Klimës; Rritjen apo jo të taksave; Vënien apo jo të maskave gjatë Pandemisë; Cështjet e punësimit; Politikat e sigurisë; Modernizimin e ekonomisë; Dixhitalizimin; Shpejtësinë maksimale të makinave në autostradë;

Qëndrimet ndaj NATO-s e Bashkimit Europian; Partneriteti me ShBA, e të tjerë. Mbi këtë bazë, pritet që në fund të kësaj jave, pra deri me datën 9 Tetor, të bëhet e qartë marrëveshja paraprake për krijimin e koalicionit qeverisës. Më pas fillon puna për hartimin e kontratës së përbashkët të qeverisjes. Me shumë gjasa koalicioni do të përbëhet nga Socialdemokratet, Të Gjelbërtit dhe Liberalët. Deri tani problem kryesor paraqitet gjetja e gjuhës së përbashket mes FDP dhe Të Gjelbërve, pasi programet e tyre politike kanë ndryshime të medha. Por nga ana tjetër, sigurisht që vecanërisht SPD duhet të dijë ta shfrytëzojë sa më mire këtë moment të rëndësishëm historik, që paprimtas e ka në dorë pas shumë e shumë viteve. Sic shprehej edhe një nga gazetat më të njohura gjermane, Ajo, pra SPD, “..ka nevojë për një hekurosje të mirë e të kujdesshme, sepse i ngjan një palltoje që është harruar për një kohë të gjatë në pastrim kimik…”. Sigurisht që në një vend demokratik si Gjermania kjo do të realizohet, sepse në fund të fundit, qeverisja është përgjegjësi e madhe. Synimi kryesor i saj është përparimi i vëndit dhe mbrojtja e interesave të qytetarëve. /Panorama

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Ish-banori i “Big Brother”: Donaldi nuk është fitues, mes çiftit s’ka dashuri

Ish-banori i “Big Brother”, Adi Pojana, teksa ishte i ftuar në studion e “Shqipëria Live”, ka komentuar lidhjen e shumëpërfolur mes Donaldit dhe Beatrix. Për...

“Shkelje financiare”, arrestohet presidenti i klubit italian

Presidenti i një prej klubeve të Serisë A është vënë në pranga, për shkelje financiare mes të cilave edhe deklarimin e falimentit të kompanive...

“Jam në Dubai, s’jam arratisur”/ Nipi i deputetit të PS-së: Ngjarje e stisur

Ramazan Rraja, nipi i deputetit socialist, Rrahman Rraja konfirmon se nuk është arratisur, pasi akuzohet se së bashku me dy persona të tjerë, kanë...

E shkarkuat Bashën, e pastaj …?

Nga: Artur Ajazi Foltoristët dhe kryetari i tyre Sali Berisha, po numurojnë me padurim të madh, sa ditë dhe sa orë, kanë mbetur deri ditën...

Dy raste me Omicron në Greqi

Me variantin Omicron u diagnostikuan dy rastet e dyshimta që ishin futur në mikroskopin e studiuesve të Greqisë. Bëhet fjalë për dy shtetas që kishin...