Numri dy i Partisë Socialiste, Taulant Balla duket i bindur për fitorën e mandatit të tretë qeverisës në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Ai beson se PS-ja do arrijë të marrë 74 mandate, madje edhe më shumë.
“Ne jemi në garë me njerëzit. Ne kemi disa, jo një. Për cdo sektor ne kemi një qasje që është në implementim. Ne kemi arritur që në këto 7 vite qeverisje të ndërtojmë shtet në Shqipëri, një shtet që kujdeset për qytetarët. Jemi përpjekur të mos lëmë askënd vetëm. Ne jo vetëm do të rikonfirmojmë 74 mandate, mbase dhe më shumë”, u shpreh Balla.
Balla u ndal dhe te shpopullimi, duke iu përgjigjur akuzave të shumta të Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Sipas tij, nëse ka një arsye pse ikin shqiptarët ajo është pikërisht Meta.
“Mendoj që ne shqiptarët dhe me këtë qeveri që kemi e kemi përballuar më së miri këtë situatë. Ekonomia për fat të mirë po ecën mirë. I lutem çdo fermeri të shkojë dhe të aplikojë për naftën për akcizë. Procesi përfundon më 25shkurt, duhen vetëm dy dokumente të thjeshta, të hapësh një nipt dhe atë tapinë t’i bësh një foto. Procesi i rimëkëmbjes së ekonomisë po ecën mirë. Të dhënat e para tregojnë që Shqipëria e ka kaluar pjesën e vështirë dhe jemi në atë pjesën ku mund të shohim dritë në fund të tunelit”, tha Balla në ‘’News 24’’.