Nuk ka qetësi për Ergys Kaçen, por këtë herë jo për arsye aktivizimin. Mesfushori i kombëtares shqiptare është duke u përballur me një pengesë të madhe financiare tek ekipi i ri i Panathinaikosit. Për këtë çështje Kaçe dhe pjesa tjetër e ekipit nuk kanë dalë në seancën stërvitore në shenjë proteste ndaj drejtuesve të klubit.
Vasilis Konstantinou, presidenti i Panathinaikos ka marrë mesazhin e qartë se ekipi nuk do të stërvitet deri në momentin që do të shlyen rrogat e prapambetura. Bëhet fjalë për një mungesë rrogash që nga muaji tetor dhe kjo ka krijuar një kaos brenda grupit raportojnë mediat greke.
Panathinaikos pak kohë më parë mbylli një çështje të kësaj natyre, pasi nuk i kishte paguar 500 mijë euro mesfushorit Jens Wemmer, dhe u dënua nga Federatës Greke të Futbollit me heqjen e tri pikëve. Krahas situatës së rëndë financiare problematik mbetet edhe klasifikimi, pasi skuadra rrezikon rënien nga kategoria.
Situatë aspak e favorshme për Ergys Kaçen, i cili pas një periudhe jo dhe aq të mirë te Viktoria Plzen, ku nuk mund të gjente shumë hapësira, dhe rikthimi te Panathinaikos është shoqëruar me të tjera probleme.