Presidenti Ilir Meta ka uruar deputeten shqiptare nga Prizreni, Ermina Lekaj-Përlaskaj, pas fitores se mandatit të tretë të deputetes në Kroaci.
Përmes një postimi në Facebook, Meta thotë se është tepër e rëndësishme që komuniteti shqiptar të ketë zërin dhe përfaqësimin dinjitoz në Parlamentin kroat.
Sipas kreut të shtetit, thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve do t’i japë një impuls të ri forcimit të tyre, si dhe procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Postimi i plotë:
Shumë i gëzuar nga lajmi për fitoren e mandatit të deputetes në Parlamentin e Kroacisë, për herë të tretë, të znj.Ermina Lekaj-Përlaskaj.
Është tepër e rëndësishme që komuniteti shqiptar të ketë zërin dhe përfaqësimin dinjitoz në Parlamentin kroat me një deputete të nderuar, një tregues i lidhjeve të forta tradicionale shqiptaro-kroate.
Përvoja e saj është garanci edhe për të ardhmen e shkëlqyer të këtyre marrëdhënieve.
Thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve do t’i japë një impuls të ri forcimit të tyre, si dhe procesit të integrimit europian të Shqipërisë.