Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar gjatë dy ditëve të fundit, se ka mbledhur 4200 firma. Në lidhje më këtë çështje, kreu i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, pohoi se do të publikonte firmat e mbledhura. Dje ai ftoi gazetarët për të hapur kasafortën, dhe për të treguar firmat e mbledhura. Por emrat e delegatëve u mbuluan së bashku me të dhënat e tyre, duke mos qenë kështu transparent me publikun.
Paloka tha se formularët janë plotësuar nga delegatët e Kuvendit me të gjitha të dhënat që përfshijnë emrin, mbiemrin, emrin e babait, numrin e kartës së identitetit dhe funksionin në parti. Sipas tij, emrat nuk mund të verifikoheshin as nga gazetarët dhe as nga vetë Paloka, pasi kjo është detyra e komisionit të verifikimit.
“Qëllimi sot i gazetarëve është kush ka durim të ulet dhe t’i shohë këta formularë. Të dhënat personale, ato që duhet të ruhet fshehtësia. Ju lutem të mos i fokusoni. Janë 4200 të dorëzuar atë ditë, kanë ardhur dhe formularë të tjerë, por rrimë tek 4200.
Janë formularë të plotësuar nga delegatët. Delegatët e Kuvendit janë të përcaktuar në statut, janë pjesëtarë të kryesisë së degëve, anëtarë të Këshillit Kombëtar, deputetë dhe deri tek kryetari i partisë. Të gjithë këta që kanë firmosur nuk janë thjesht anëtarë, por janë delegatë të Kuvendit. Delegatët nuk ndryshojnë, janë po ata. Nga kryetarI, seksioni deri tek kryetari i partisë të degës. Janë të gjitha të dhënat, emër, mbiemër, emër të babës, numrat e kartës së identitetit dhe funksionin në parti që i bën delegat. As unë dhe as ju nuk do bëni verifikimin e emrave. Këtë gjë e bën komisioni i verifikimit të mandateve në Kuvend.
Unë jam si kryetar i këshillit, njëra palë më ka kërkuar të depozitoj këta formularë. Ky është kuvend i jashtëzakonshëm. Procedurat e statutit parashikojnë kur kuvendi mblidhet në mënyrë normale. Në këtë rast kur nuk iu përgjigjen detyrimeve statutore, jemi të detyruar t’i bindemi vullnetit të shumicës së kuvendit të PD-së. Jemi të detyruar të zbatojmë detyrat tona statutore.
Nëse dikush nuk e zbaton këtë detyrim, atëherë kanë detyrimin firmëtarët, që janë realisht nismëtarët e Kuvendit të vazhdojnë me procedurat. Ata që kanë firmosur nuk janë anëtar të thjeshtë, por delegatë të Kuvendit siç i parashikon dhe statuti. Ne jemi në krizë, duam apo jo ta pranojmë, kjo çështja a duhet lajmëruar një orë para apo jo, janë cic mice që nuk i vlejnë Partisë Demokratike. Jemi ndarë në palë dhe unë jam në mes për momentin, fatkeqësisht ka humbur besimi tek njëri-tjetri në PD”, tha Paloka.
Reagon Sekretari i Përgjithshëm i PD-së
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi menjëherë ndaj deklaratës së Palokës. Në një komunikim për mediat, ai u shpreh se po vijon procesi i talljes me demokratët. Bardhi tha se vullneti i demokratëve nuk mund të mbyllet në kasafortë, dhe nuk mund të bëhet një show me të. Ai përsëriti thirrjen se Kuvendi do të mblidhet vetëm nëse protokollohen firmat, dhe vërtetohen që janë të delegatëve, ku sipas statutit duhet ¼ e tyre. Bardhi tha se mbështetësit e Berishës po veprojnë në ilegalitet të plotë, duke tentuar ta kthejnë PD-në në një celulë.
“Partia nuk është as kasafortë, as bunker. Ju lutem, depozitoni kërkesën në protokollin e PD, jepuni mundësinë institucioneve dhe të mbledhim Kuvendin. Nuk do të duhet të ketë palë në PD.
PD-ja është pronë e demokratëve, cilido që për një interes apo hall personal synon të përçajë PD-në, apo të krijojë palë në PD, i bën shërbim regjimit të Edi Ramës. Ne kemi një interes të përbashkët, rrëzimit të regjimit të Edi Ramës. Ky duhet të jetë fokusi jonë. Hallet personale secili t’i mbajë në shtëpinë e tij, jo në shtëpinë e demokratëve. PD nuk është celulë”, u shpreh Bardhi.