Vitet e fundit menaxherët e futbollistëve të kalibrit botërorë kanë krijuar një kaos gjatë merkatos së transferimeve. Ishte Sepp Blatter që u dha liri, duke lejuar çdo njeri të bëhej menaxher, edhe pse aftësitë e tyre për të menaxhuar të drejtat e futbollistëve ishin zero. E çfarë solli kjo? Solli që çmimet e lojtarëve të shkonin në stratosferë dhe që të blejë një lojtarë të talentuar duhet të thyeje arkat. Kjo jo vetëm për të bindur klubin, por për të joshur edhe menaxherët me disa para kesh.
Sot menaxherë të futbollistëve janë vëllezër, prindërit apo edhe bashkëshortet si në rastin e Icardi-Wanda Nara. FIFA ka vendosur që të kthejë në fuqi menaxherët e licencuar të futbollistëve, duke mos lejuar më që këtë gjë ta bënte dokushdo, siç ndodhte që nga viti 2015 kur Sep Blater e ktheu në profesion të lirë duke i hapur rrugë kaosit e spekulimeve. Prej disa muajsh, organizata e menaxherëve evropiane ka qenë në negociata me FIFA-n dhe është arritur në përfundimin se që nga viti 2020 do të kthehet në fuqi ligji për përfaqësimin e futbollistëve nga persona të licencuar.
Parashikohet që me rregulloren e re, të gjithë përfaqësuesit e lojtarëve duhet të zhvillojnë një testim për njohuritë që nevojiten në këtë kategori dhe rregullisht të marrin pjesë në kurse përditësimi të aftësive të tyre. Edhe ata prindër apo familjarë që duan të vazhdojnë të ushtrojnë këtë funksion në jetën e futbollistëve, duhet t’i nënshtrohen të njëjtave rregulla e nëse nuk plotësojnë kushtet, t’u bëjnë vend profesionistëve.
Të gjitha përfitimet e menaxherëve nga kontratat e lidhura mes palëve duhet të bëhen publike nga klubet dhe përflitet edhe për një “tavan” të fitimeve. Nëse ky i fundit do të vihet edhe për futbollistët e trajnerët (siç është një ide e FIFA-s), atëherë edhe menaxherët do të kontribuojnë te 5% që paguhet si solidaritet te klubet që kanë formuar futbollistët. FIFA ndërkohë do të ndërtojë një komision të veçantë që do të merret me të gjitha marrëdhëniet kontraktuale mes lojtarëve dhe menaxherëve, për të regjistruar çdo lloj marrëveshje dhe për të vendosur pak rregull në botën e futbollit.