Një “incident” ka ndodhur paraditen e sotme mes Ministres së Arsimit Lindita Nikolla dhe zyrtarit turk, koordinator i agjencisë turke TIKA në Tiranë.
Nga auditorët e Universitetit të Tiranës përfaqësues të ambasadës turke u kanë folur studentëve për organizatën terroriste të Fetullah Gylen dhe ndikimin që ajo ka në Shqipëri.
Në prani edhe të ministres së Arsimit, kreu i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim Eyup Yavuz Umutlu, ka sqaruar disa nga elementët e kësaj organizate e cila sipas zyrtarëve turk në Tiranë, Gylen nëpërmjet shkollave të tij në Shqipëri synon të edukojë breza me mendje dhe zemra të manipuluara.
Ministrja e Arsimit e cilësoi të papranueshëm këtë komunikim në auditore, gjë të cilën ja shprehu edhe personalisht ambasadorit turk në tryezë. Por në një reagim të sajin për këtë incident, Nikolla siguroi prindërit shqiptarë se në vend nuk ka shkolla jashtë kuadrit ligjor dhe standardeve mësimore, shkruan” BË”.
Këto deklarata u bënë gjatë inaugurimit të sallës së bibliotekës dhe dy sallave të konferencës në fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë ku agjencia qeveritare turke “Tika” kontribuoi në vlerë financiare.