Mënyrat e vetme për ti shpëtuar Covid-19 janë distancimi fizik dhe maska. Transmetimi i koronavirusit, sipas OBSH, ndryshon me moshën. Të vegjlit mund të infektohen prej tij, por shumica e tyre e kalojnë lehtë apo pa shenja klinike Covid-19. Mjekja pediatre Gjeorgjina Kuli, njëkohësisht anëtare e Komitetit Teknik të Ekspertëve, deklaron se maska është një nga mjetet mbrojtëse edhe për fëmijët. Sipas saj, është e rekomandueshme mbajtja e maskës, duke filluar nga mosha 6-vjeç e sipër. Ajo thotë se në këtë moshë fëmijët arrijnë që të kuptojnë për rëndësinë e maskës, e për ta kthyer në pjesë të rëndësishme të jetës së përditshme.
“Maska është një nga mjetet mbrojtëse shumë të rëndësishme edhe për fëmijët e vegjël. Mosha e rekomandueshme që fëmijët duhet të mbajnë maskë është 6-vjeç e sipër. Sepse është një moshë që fëmijëve mund t’u shpjegohet për rëndësinë e maskës, për faktin pse duhet mbajtur dhe po kështu mund të kombinohet në formë lojërash apo maska me personazhe të përrallave apo të botës së tyre, për ta bërë atë pjesë të rëndësishme të jetës së përditshme.
Maska është një mjet i vjetër mbrojtës ndaj shumë sëmundjeve infektive dhe i domosdoshëm për sëmundje që përhapen me anë të spërklave të ajrit apo sëmundjeve aerogene. Nuk është një mjet i ri. Thjesht po vëmë në përdorim një mjet që ka ekzistuar prej kohësh, dhe që ka vërtetuar prej kohësh efikasitetin e tij”, u shpreh Kuli.