Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi masën me burg për ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela. Ai u dënua me 3 vite e 4 muaj burg, dhe akuzohet për “shpërdorim detyre”. Në nëntor të 2017, Prokuroria e akuzoi Çelën se në bashkëpunim me ministrin Tahiri, ndihmoi bandën e Habilajve për të trafikuar drogë. Prokurorë të çështjes asokohe ishin Besim Hajdarmataj, Elisabeta Imeraj dhe Gentian Osmani.
Në deklaratën e tij, Çela thekson se është i pafajshëm teksa këmbëngul se nuk i njeh anëtarët e bandës së Habilajve. Ai shprehet se në dosjet e çështjes, emri i tij nuk përmendet në asnjë përgjim apo komunikim mes të dyshuarve.
Ndaj tij u ngritën akuzat për “shpërdorim detyre”, “trafik droge”, “aktivitet dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal”, por Gjykata e Shkallës së Parë e Krimeve të Rënda e dënoi me 3 vite e 4 muaj burg vetëm për “shpërdorim detyre”. Sakaq, pas dhënies së dënimit Çela ka qenë për pothuajse 3 vite në arrati, dhe u vetëdorëzua në 16 maj të 2020. Ai e justifikoi këtë arrati duke thënë se po i nëmërkëmbej e drejta.
Në një komunikim për mediat, avokati i Jaeld Çelës deklaroi se vendimi i GJKKO për të është i një standardi shumë të dobët. Ai gjithashtu ka theksuar se do të ketë një rekurs për këtë çështje.
“Në 17 vite suksese janë të rëndësishme dy telefonata pa përmbajtje. Nuk janë më të rëndësishme për Prokurorinë që në vitin 2016 janë asgjësuar 220 mijë bimë, por janë me rëndësi vetëm dy telefonata që për gjykatën vërtetojnë lidhjet e qëndrueshme me eksponentë të grupit kriminal.
Një ka qenë vetëm një sms pa përmbajtje. Pra për gjykatën mjafton që çdokush t’i drejtojë një sms një prokurori dhe gjyqtari, atëherë ai do ketë dyshimin që po vepron me grupe kriminale. Gjykata duhet të ketë parasysh të gjithë veprimtarinë e Policisë së Vlorës. Asnjëherë një oficer si Jaled Çela dhe është e paprovuar që të ketë pasur kontakte me eksponentë të grupit kriminal.
Ka qenë ai që i ka kallëzuar penalisht. Unë nuk parashikoj dot vendimmarrjen, por mund të them se në dosje nuk ka asnjë provë. Vendimi i sotëm vë në rrezik drejtësinë. Pa diskutim që do të bëjmë rekurs. Nuk ka pasur dhe nuk do të ketë lidhje të tij me grupin kriminal. Fakti që ka pasur përhapje të gjerë të kultivimit të lëndës narkotike, nuk mund të bëjë me faj oficer policie”, ka thënë ai.