Redi Shehu/Nuk kam dashur të shkruaj për këtë temë, pasi u bënë tashmë pothuaj një dekadë që shkruaj për të, duke menduar se audiencat në 2017-tën, janë pjekur kulturalisht e aq më tepër sociologjikisht, sa të brendësojnë ndryshimin e mendimit dhe besimit të tjetrit të materializuar në të gjitha format dhe veçoritë e veta.
“Çështja e shamisë”, apo siç kanë qejf ta quajnë disa, “ferexheja”, kanë qenë në formë të herëpashershme temat e preferuara të tranzicionit tonë kulturor nga gjendja e “goditjes” së kalimit nga ateo-komunizmi në liberal-demokraci.
Intensiteti i negativitetit të asaj kohe lidhur me fenomenin, as që nuk krahasohet me këtë të sotmin, ku për hir të së vërtetës, masivizimi i praktikave fetare dhe ndërgjegjes fetare të popullit e ka bërë atë tashmë jo një “çështje” apo “çështjen”, por një fenomenet të natyralizuar brenda konstruktit tonë social.
Ama, ndodh që tek tuk zëra të vetmuar mundohen të mbajnë gjallë zjarrin, i cili në shkretëtirën botëkuptimore ne të cilën bota po humbet sot, u duhet për të fortifikuar veten në përhumbje e sipër, si dhe për t’u mbrojtur nga “ndotjet” regresive të së shkuarës.
Është interesante se si ngacmime të tilla edhe pse sporadike dhe mjerane, shënojnë gati një datë jubilare në kalendarin e perversitetit i cili duhet mbajtur me çdo kusht aktiv.
Si gjithmonë duhet një foto apo një ngjarje e cila duhet të shërbejë si detonator, por kjo nuk mjafton, duhet gjithashtu edhe një fitil injorance i lidhur me keqinformimin për ta bërë keqkuptimin një vepër arti, të gatshme për t’u shijuar pastaj nga audiencat përtace pa aftësi analizuese në këtë “fast food”-in tonë kulturor.