Fasoni në krizë, industria paralajmëron mbylljen e 20 mijë vendeve të punës

Industria e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve ka hyrë në një cikël të qëndrueshëm rënie, që ka nisur para pandemisë, në vitin 2019. Aplikimi i masave kufizuese në vendet e BE-së ka ulur porositë për fabrikat e këpucëve në 65-75% në shkurt – mars 2021 dhe për veshjet në 30-40%.  Fabrikat po përballen me falimente dhe lajmërojnë 20 mijë largime nga puna në 6-mujorin e parë 2021. Në mungesë të mbështetjes me likuiditet, prodhuesit shqiptarë nuk përfituan nga kërkesa e re që nxiti pandemia dhe nga ndryshimi i zinxhirëve të furnizimit. Pritshmëritë për rikthim në normalitet janë shtyrë në fund të vitit 2023. Plani i rimëkëmbjes.

Blerina Hoxha

Pandemia e ka përfshirë në një cikël të gjatë krize sektorin e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve, që përfaqëson grupin më të madh të eksportit në vend, me 38% të totalit. Pritshmëritë për rikuperim janë shtyrë përtej vitit 2022, si nga tregjet brenda edhe nga ato jashtë vendit, si pasojë e zgjatjes së pandemisë dhe masave të karantinës, teksa ecuria e ngadaltë e vaksinimit ka shuar shpresat për rigjallërimin e kërkesës edhe këtë vit.

Dobësitë më të mëdha janë shfaqur në fabrikat e prodhimit të këpucëve, të cilat po vuajnë rënien drastike të kontratave të porosive prej kufizimeve në lëvizje në shumicën e vende të BE-së. Edvin Prençe, kryetar i Shoqatës Pro-Eksport, tha se në 10-ditëshin e fundit të marsit, porositë në fabrikat e këpucëve shënuan rënie me 75% nga 64% në fillim të muajit. Rënia  është parë edhe në prodhimin e veshjeve, por më e butë, me rreth 30-40%.

Fasoneria po ecën më keq se parashikimet në fillim të vitit kur rikuperimi pritej të ndodhte në 6-mujorin e dytë. Bizneset e sektorit presin të nisin rimëkëmbjen në muajin tetor, nëse vaksinohet 60% e popullsisë së Europës, ndërsa niveli i vitit 2019 do të arrihet në vitin 2023 ose më vonë.

Shumica e fabrikave, sidomos ato të vogla, kanë mbyllur përkohësisht aktivitetin, duke lënë mijëra persona të papunë, kurse shitjet jashtë vendit vijuan rënien vjetore në janar – shkurt 2021 me rreth 20% për këpucët dhe 4.8% për veshjet, me të njëjtat ritme, si dhe në vitin 2020.

Eva Laro, e cila drejton “Prodyn”, një nga fabrikat më të mëdha në vend të prodhimit të këpucës, thotë se viti 2021 do të vazhdojë rënien  për shkak të kërkesës së dobët. Laro diversifikoi prodhimin në një pjesë të fabrikës nga këpucë në veshje mjekësore për tregun gjerman, por vështirësitë në furnizimet e lëndës së parë nga Kina i kanë krijuar probleme në këtë fillimvit.

Ambienti i brendshëm nuk paraqitet favorizues. Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 prillit kanë marrë të gjitha energjitë e politikëbërjes, duke lënë pa zgjidhje teknike dhe ligjore disa aspekte që mund të zbusnin vështirësitë.

Florian Zekja, i cili drejton një fabrikë veshjesh dhe përfaqëson Shoqatën e Fasonëve, tha se, duhet mbështetje me likuiditet nëpërmjet paketave të posaçme dyvjeçare. Ndihma financiare duhet për të investuar në makineri që sigurojnë procese të reja prodhimi dhe në fuqinë punëtore që aktualisht është kapitali më i çmuar që fabrikat kanë.

Jozef Bazhdari, i cili zotëron fabrikën e prodhimit të veshjeve në Shkodër, “Bela Confex” tha se, nuk ishte prekur nga kriza për shkak të rritjes së porosive në produktin që ai prodhon, por sugjeroi se, fabrikat e fasonit do të përballonin vështirësitë dhe do të rrisnin fitimet nëse lëndët e para (inputet) do të përjashtoheshin nga TVSH-ja. “Fakti që paguajmë TVSH për çdo artikull që i shërben produktit dhe pastaj TVSH paguhet sërish për të gjithë produktin i rrit kostot në mënyrë artificiale dhe i bën prodhimet shqiptare jokonkurruese. Shqipëria duhet të adoptojë standardin “Euro 1” për TVSH në sektorin e fasonit, në mënyrë që të rritet produktiviteti dhe për pasojë, edhe pagat në këtë sektor” – tha Bazhdari.

Për Albert Manthon, i cili drejton fabrikën e prodhimit të veshjeve “Bena”, kriza  e pandemisë do të japë efektet negative në industrinë e fasonit të paktën në 5 vitet  e ardhshme. Humbjet e krijuara vështirë se rikuperohen në tre vitet në vijim, ndërsa me përfundimin e krizës shëndetësore, sjellja konsumatore nuk pritet të jetë si më parë. Kriza si kjo, sipas zotit Mantho, lënë pasoja afatgjata, ndërsa Shqipëria me një treg të vogël më pak se 2.8 milionë banorë nuk mund të konkurrojë në kosto me prodhimet që vijnë nga vende të mëdha të tilla si Kina.

/Monitor/

Fabrikat lajmërojnë shkurtimin e 20 mijë vendeve të punës në 6-mujorin e parë

Fabrikat e këpucëve dhe veshjeve pritet të nxjerrin të papunë rreth 20 mijë persona në 6-mujorin e parë të vitit, si pasojë e thellimit të mëtejshëm të krizës. Përllogaritjet i bëri Shoqata e Fasonëve “Pro-Eksport”, e cila grumbulloi të dhënat nga fabrikat, shumica e të cilave kanë pësuar rënie të porosive me mbi 70%.

Prej muajsh në vështirësi dhe pa mbështetje financiare, ata e kanë të pamundur të mbajnë fuqinë punëtore në punë. Kryetari Edvin Prençe tha se, çdo ditë që kalon është humbje e madhe në vende pune, rënie të eksporteve etj. Për mungesë likuiditeti, thotë z. Prençe, fabrikat shqiptare nuk po munden të përshtatin teknologjinë për t’iu përgjigjur kërkesës së shpejtë, për disa produkte nga vendet europiane.

Deri në vitin 2019, sektori fason ishte ofruesi më i madh i vendeve të lira të punës, që nuk kërkonin kualifikim. Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Punësimit, mbi 6500 biznese në të gjithë vendin, shumica në sektorin fason, kërkuan të punësonin 45 mijë persona në vitin 2019 nëpërmjet zyrave të punës. Para se të niste kriza  e pandemisë, fabrikat e këpucëve dhe veshjeve po vuanin nga mungesa e punonjësve. Pagat e ulëta nuk i joshnin më të rinjtë që po zgjidhnin punësimin në call center, kurse emigracioni shteroi forcën e re të punës.

Në vitin 2020, situata ndryshoi kryekëput. Oferta për punë nga bizneset nuk arriti më shumë se 200-300 vende në zyrat e punës, ndërsa shumë punëkërkues të rinj të papunë u dyndën për regjistrim. Punësimi në sektorin fason u rrit me shpejtësi në dekadën e fundit. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në vitin 2019, fabrikat e veshjeve dhe të këpucëve kishin punësuar me pagë rreth 56 mijë persona nga rreth 25 mijë të tillë në vitin 2010. Shpenzimet për paga të fabrikave arritën në rreth 21 miliardë lekë në vitin 2019.

Arritjet në punësim u kthyen përmbys gjatë periudhës së pandemisë dhe do të vijojnë të shfaqin vështirësi edhe në periudhën afatmesme, pasi fabrikat shqiptare nuk mund të konkurrojnë për të kapur pjesën e zvogëluar të porosive nga vendet e zhvilluara.