Nga: Frederik Pedersen “The Conversation”
Donald Trump do të përballet në shkurt me fajësimin (impeachment), hera e parë që një president i SHBA-së gjykohet 2 herë për “krime madhore dhe kundërvajtje”. Vetëm një proces i fajësimit i kaloi të hënën Senatit, ku Trump akuzohet për “nxitje të kryengritjes”, përpara se mbështetësit e tij të sulmonin ndërtesën e Capitol Hill më 6 Janar.
Paraqitja e argumenteve do të nisë në Senat në javën e dytë të shkurtit. Por aktualisht po zhvillohet një fushatë e gjerë mediatike, teksa mbështetësit e ish-presidentit, dhe armiqtë e tij politikë, po debatojnë duke dhënë argumentet e tyre pro dhe kundër ish-presidentit.
Mbrojtësja më e shquar në mesin e mbrojtësve të Trump ka qenë senatorja e vjetër republikane, Lindsey Graham, që deklaroi për Fox News se nëse Trump do të dënohet nga Senati pasi ai ka lënë detyrën, kjo do të krijonte mundësinë e fajësimit të presidentëve të shkuar. “Nëse kemi mundësi ta dënojmë një president, pasi ai e lë detyrën, atëherë pse nuk e gjykojmë Xhorxh Uashingtonin?Ai kishte skllevër. Po ku ndalet kjo gjë?”- tha Graham. Sigurisht që në komentin e senatores ka një të metë të dukshme:duke qenë i vdekur, Uashingtoni nuk duket se ka mundësi mbrohet.
Por historia e Papatit në Mesjetën e Hershme, na mëson se edhe vdekja mund të mos jetë pengesë për ndjekjen penale të atyre që akuzohet për sjellje të keqe gjatë kohës që mbanin poste publike. Më shumë se 1.000 vjet më parë, Kisha perëndimore ishte në një krizë të thellë.
Në atë kohë kishte një mosmarrëveshje të forta midis Romës dhe Konstandinopojës, mbi atë se kush duhet të ishte kreu i kishës së krishterë. Shumë valë emigrantësh ishin vendosur në Hungari dhe Bullgari, gjë që shtoi tensionet midis Kostandinopojës dhe Romës, teksa dy kryeqendrat luftonin për sovranitet mbi një popullsi që po ndryshonte besnikëri.
Ato konflikte ngritën pyetje të rëndësishme në lidhje me cilësitë që u kërkoheshin udhëheqësve të Krishterimit. Gjatë asaj periudhe ka pasur një përdorim mjaft të shpeshtë të ekuivalentit të hershëm mesjetar të fajësimit. Ky ishte Sinodi i Kishës, i mbajtur në Romë, në të cilin mbajtësi i postit më të lartë në Krishterim mund të gjykohej për shkelje kundër traditave dhe zakoneve që kërkonte posti i tyre.
Një Sinod i tillë u zhvillua në janarin e vitit 897, dhe ai shqyrtoi akuzat kundër ish-Papës më të fundit në Vatikani, Formosusit (Papë në vitet 891- 896).Problemi i vetëm ishte që Formosusi kishte vdekur 7 muaj para fillimit të gjyqit. Por papa i ri, Stefani VI, ishte i bindur se edhe kur një udhëheqës kishte lënë detyrën, ai ende mund të dënohej për shkeljet e tij.
Kështu Sinodi vazhdoi përpara me gjyqin në rrethana shumë të çuditshme.
Papa Stefani urdhëroi nxjerrjen e trupittë Formosusit nga sarkofagu i tij, dhe sjelljen në Bazilikën e Shën Gjon Lateranit në Romë për t’u gjykuar. Kufoma ishte veshur me rroba papale dhe u ul në një fron për t’u përballur me akuzat e thyerjes së rregullave të kishës.
Aty pranë qëndroi një dhjak, që përgjigjej në emër të Formosusit. Stefani VI e akuzoi kufomën për shkelje të betimit, për të mos u kthyer në Romë, dhe për marrjen në mënyrë të paligjshme të titullit të papës, pasi ai kishte qenë peshkop në kohën e zgjedhjes së tij si Papë.
Krimet e pretenduara, ndodhën shumë kohë para gjyqit. Në korrikun e viti 876, Formosusi u shkishërua për ndërhyrje në politikën evropiane, dhe për shkak se kishte ndaluar kremtimin e meshës nga Papa Gjoni VIII. Por, pas vdekjes së tij, dënimi u anulua nga pasardhësi i Gjonit Marinus I,dhe në vitin 878 Formosusi u kthye në postin e tij si peshkop i Portos.
Ai u zgjodh papë më 1 tetor 891, dhe u përfshi sërish në politikë. Në Itali, ai inkurajoi kryengritjet, duke bindur Arnulfin nga Karinthia të përparonte në Romë për të dëbuar perandorin në pushtet. Arnulfi pushtoi Romën më 21 Shkurt 896, por suksesi i tij ishte jetëshkurtër.
Dhe para se të kishte shansin të lëvizte kundër bastionit të opozitës në Spoleto, ai u godit nga paraliza dhe nuk ishte në gjendje të vazhdonte fushatën. Dhe paraliza, konsiderohej në Mesjetë si një ndëshkim hyjnor.
Është e rëndësishme të mos harrohet se ajo ishte një epokë në të cilën papati ndryshoi drejtuesit e tij me një ritëm alarmant, gati çdo vit midis viteve 896-904, kur pati nga një papë të ri, ndonjëherë edhe 2 brenda vitit. Formosusi u pasua nga Papa Boniface VI, që vetë vdiq dy javë më vonë.
Stefani VI e shpalli Formosusin fajtor me arsyetimin se ai nuk mund të merrte ligjërisht titullin papnor pasi ishte peshkop i një selie tjetër. Të gjitha masat, aktet dhe vendimet e tij ligjore u anuluan, dhe të gjitha urdhrat u shpallën të pavlefshme. Veshjet e tij papale iu shqyen nga trupi i pajetë.
Të tre gishtat që papa i vdekur kishte përdorur në shenjtërim iu prenë, dhe kufoma u varros në një varr për të huajt, për t’u hequr pas disa ditësh dhe hedhur në lumin Tiber. Donald Trump që për momentin ndodhet i zhgënjyer në vendpushimin e tij Mar a Lago në Florida, nuk do të vuajë sigurisht poshtërimin e kufomës së Papës Formosusit.
Por, ashtu si Formosusi, ai do të shohë që shumë (nëse mos të gjitha) nga vendimet dhe emërimet e tij do të ndryshohen që në ditët e para të presidencës së Xho Bajden. Interesant është fakti se pas vdekjes së Stefanit VI, Formosusi u rehabilitua, dhe papati i tij u rivendos nga kisha.
Ndërkohë, thuhet se Trump po konsideron ende një rikthim në politikën amerikane. Duke humbur qasjen në profilet e tij në mediat sociale – ekuivalenti modern i 3 gishtërinjve të Formosusit -ai nuk mund t’’i frymëzojë më aq lehtë ndjekësit e tij. Por siç e dimë tashmë, gjëra të çuditshme kanë ndodhur edhe më parë.
Burimi i lajmit: https://theconversation.com/trump-impeachment-after-leaving-office-is-nothing-in-9th-century-rome-they-put-a-popes-corpse-on-trial-153339
Përshtatur nga TIRANA TODAY