Nga Serkan Demirtaş “Hurriyet Daily News”
Zgjerimi i konflikteve ushtarake nga një rajon në tjetrin, luftërat civile në kombet e dështuara, thellimi i padrejtësive sociale dhe ekonomike në botë, si dhe krijimi i brezave të njerëzve tërësisht të pashpresë e kanë kthyer tashmë shekullin XXI në Epokën e Refugjatëve.
Dhjetëra miliona njerëz po largohen nga shtëpitë e tyre në kërkim të një të ardhmeje më të mirë dhe më të sigurt për veten dhe familjet e tyre, shpesh duke rrezikuar jetën e tyre nga trafikantët e qenieve njerëzore, nga lindja në perëndim, dhe nga jugu në veri.
Në një tragjedi të ndodhur ditët e fundit, dy anije të mbushura me rreth 170 emigrantë besohet të jenë fundosur pranë brigjeve të Libisë. Ajo çka e shton më shumë dhimbjen në lidhje me këtë ngjarje, është fakti që shtetet në rajon e braktisën përgjegjësinë e tyre “për të koordinuar operacionet e kërkimit dhe shpëtimit, duke ua lënë aktorëve privatë dhe shoqërisë civile mbushjen e boshllëkut vdekjeprurës që lanë pas” sipas “SOS Mediterranee”, një organizatë joqeveritare që merret me shpëtimin e emigrantëve në det.
Gjithashtu po kjo OJQ konfirmoi se më shumë se 350 njerëz kanë vdekur që nga fillimi i këtij viti në Mesdheun Qendror,gjatë ndërmarrjes së një udhëtimi të rrezikshëm nga Libia në Evropë.
Për me tepër, Organizata Ndërkombëtare e OKB për Migracionin (IOM), deklaroi në një raport të publikuar në fund të marsit, se vitin e kaluar më shumë se 2.200 njerëz u mbytën në det. Tragjedi të ngjashme po ndodhin shpesh edhe në Detin Egje, ku rojet bregdetare greke po i shtyjnë refugjatët drejt Anadollit,duke rrezikuar jetën e tyre.
OKB dhe OJQ-të kryesore e kanë kritikuar prej kohësh qeverinë greke për këtë sjellje ç’njerëzore, duke i bërë vazhdimisht thirrje Athinës që të përmirësojë kushtet për emigrantët që mbahen nëpër kampe në ishujt grekë.
Një lëvizje tjetër e habitshme dhe po aq shqetësuese erdhi nga Danimarka,që po përgatitet
të anulojë lejet e qëndrimit të përkohshëm të qindra refugjatëve sirianë që vijnë nga zona e Damaskut, pak ditë pasi kryeqyteti sirian u shpall i sigurt nga autoritetet daneze.
Raportet sugjerojnë se rreth 500 sirianë do të preken nga ky vendim, i cili tashmë ka krijuar probleme ligjore dhe humanitare. Ndërkohë, dimensioni politik dhe etik i problemit, është shumë më problematik.
Fakti që ky vendim u mor nga një qeveri socialdemokrate e mbështetur nga partitë socialiste dhe liberale në parlament, po shkakton pyetje më shqetësuese në lidhje me të ardhmen e emigrantëve që jetojnë në të gjithë kontinentin evropian.
Këto lloj politikash diskriminuese dhe ksenofobike nuk u përshtaten vlerave të Bashkimit Evropian, të drejtave themelore të njeriut dhe normave demokratike, të cilat si për ironi të fatit shpjegohen në Kriteret e Kopenhagës.
Kjo qasje e pandjeshme, shihet gjithashtu edhe tek bashkëpunimi i BE-së me Turqinë për të ndihmuar rreth 4 milion refugjatë sirianë, që strehohen prej vitesh në territoret turke. Ndërsa të dyja palët janë gati të negociojnë ripërtëritjen e marrëveshjes së vitit 2016 mbi emigrantët, qasja e BE-së mbetet kryesisht e kufizuar tek ndihma e vazhdueshme financiare.
Megjithëse Bashkimi Evropian kishte premtuar zhvendosjen e refugjatëve sirianë, siç po shihet me rastin e Danimarkës, ata po përpiqen që t’i heqin qafe ata, dhe nuk ka gjasa që të pranohen më shumë emigrantë.
Para se të negociojnë me Turqinë mbi ripërtëritjen e marrëveshjes, udhëheqësit e Bashkimit Evropian duhet më së pari të ripërtërijnë mendimet e tyre për trajtimin human dhe pranimin e emigrantëve. Kjo është një përgjegjësi njerëzore.
burimi: https://www.hurriyetdailynws.com/opinion/serkan-demirtas/europe-fails-the-test-of-humanity-on-refugees-164184
Përshtatur për Tirana Today