Politikë

Evenimenti i rëndësishëm në Tiranë, bën bashkë Gramoz Ruçin dhe Ilir Metën

               Publikuar në : 21:45 - 11/07/19 Enno

Ambasada e SHBA-së në Tiranë, ka mbajtur sot një ceremoni për kremtimin e pavarësisë së Amerikës. Pjesë e kësaj ceremonie ishin edhe presidenti Meta, kryeparlamentari Gramoz Ruci, ministra, deputetë dhe përfaqësues të trupit diplomatik.

Leyla Moses-Ones, e ngarkuara me punë e Amerikës në Tiranë, mbajti një fjalim gjatë kësaj ceremonie, ku u shpreh se Shqipëria ashtu si Amerika ka luftuar  fort për  të arritur të drejtat e saj.

“Ne amerikanët e konsiderojmë veten kujdestarë të kësaj fryme revolucionare, të asaj shprese dhe optimizmi të pamatë të ëndrrës amerikane… Edhe Shqipëria, ashtu si Amerika, u ngrit gjithashtu për të drejtat e saj 28 vjet më parë, ku shumë rrezikuan gjithçka – përfshi jetët e tyre – si për të përfytyruar, ashtu edhe për të punuar për një fillim të ri për vendin tuaj. Historitë tona përkatëse kombëtare vazhdojnë të shpalosen dhe uroj të vazhdojnë ta bëjnë këtë, në drejtimin e duhur dhe fisnik”, tha ajo.

Fjala e plotë e Leyla Moses-Ones:

President Meta, Kryetar i Kuvendit Ruçi, Ministra dhe deputetë, përfaqësues të Trupit Diplomatik, të ftuar: Është një nder dhe privilegj për mua, së bashku me të gjithë kolegët e Ambasadës sonë, që miqtë dhe partnerët tanë të ngushtë na bashkohen këtë mbrëmje për të festuar 243 vjet të pavarësisë dhe lirisë amerikane. Një mirëseardhje të ngrohtë të gjithëve!

Ne amerikanët e festojmë 4 korrikun me një kremtim të shkujdesur dhe të hareshëm ushqimi e fishekzjarresh. Por, ia vlen të ndalemi për t’u menduar thellë për këtë eksperiment radikal që Etërit tanë Themelues filluan më 4 korrik 1776 në Sallën e Pavarësisë në Filadelfia. Ato ikona të revolucionit tonë do të bëheshin arkitektët e një kombi të ri me një vizion thuajse absolut për liritë civile. Ky ishte – dhe ende është – një vizion i lirisë njerëzore, që të lë pa frymë, dhe një thirrje pa kompromis për vetëqeverisje – një sistem i qeverisë i themeluar vetëm me njerëzit, nga njerëzit, për njerëzit. Deklarata e Pavarësisë, dhe më pas Kushtetuta jonë, kanë nxitur miliona njerëz në të gjithë botën që të fillojnë eksperimentin demokratik në vendet e tyre.

Rreshti hapës i Kushtetutës së SHBA thotë se mund të ketë një “bashkim më të përsosur” – bazuar në këto ideale të barazisë, lirisë, drejtësisë dhe llogaridhënies. Në kohën kur botën e sundonin monarkët, në një kohë kur marrëdhëniet shoqërore siguroheshin nëpërmjet lidhjeve të varësisë, klientelizmit, gjakut dhe fiseve, këto fjalë ishin shpërthyese dhe novatore. Sot, këto fjalë ta ngrohin ende zemrën me thellësinë e tyre dhe cilësinë e tyre vizionare. Ne e dimë se demokracia është e rrëmujshme, por parimet themelore të saj, ushtrimi i integritetit, përparësia e sundimit të ligjit dhe mbrojtja e një shtypi të lirë janë që të gjithë elemente që farkëtojnë forcën dhe pavarësinë e institucioneve – institucioneve që i shërbejnë popullit.

Është me vend që tema e sotme është Miqësia dhe Liria. Sepse ne amerikanët ende e konsiderojmë veten kujdestarë të kësaj fryme revolucionare, të asaj shprese dhe optimizmi të pamatë të ëndrrës amerikane, të atij horizonti të mundësive që shtrihet përpara nesh, i gjerë dhe i hapur. Edhe, Shqipëria, ashtu si Amerika, u ngrit gjithashtu për të drejtat e saj 28 vjet më parë, ku shumë rrezikuan gjithçka – përfshi jetët e tyre – si për të përfytyruar, ashtu edhe për të punuar për një fillim të ri për vendin tuaj.

Historitë tona përkatëse kombëtare vazhdojnë të shpalosen dhe uroj të vazhdojnë ta bëjnë këtë, në drejtimin e duhur dhe fisnik. Së bashku, ne duhet të vazhdojmë të ndjekim vlerat dhe idealet tona perëndimore. Ne duhet të vazhdojmë të mbrojmë lirinë nga korrupsioni, lirinë për të zgjedhur se cilët jemi dhe se çfarë besojmë dhe çfarë themi, lirinë për të krijuar një gjyqësor të pavarur, dhe lirinë për të studiuar, punuar dhe ndjekur lumturinë. Ndërsa Shqipëria punon drejt këtyre lirive dhe vazhdon të ndërtojë institucione të forta demokratike, Amerika do të qëndrojë në krahun tuaj.

Përmes vlerave të përbashkëta si aleatë të NATO-s, nëpërmjet bashkëpunimit dypalësh dhe një angazhimi për paqen përmes sigurisë, ne po e bëjmë çdo ditë më të fortë marrëdhënien amerikano-shqiptare.

Këtë vit, shënuam 75 vjetorin e Ditës së Zbarkimit në Normandi edhe 10 vjetorin e Shqipërisë si aleate e NATO-s. Do të doja të merrja një çast për të shpallur pesë fituesit e konkursit të eseve të shkollave të mesme për NATO-n, titulluar “Të bëhesh një aleat më i fortë”. Ata janë:

Leandro Topalli

Tea Binjaku

Darlisa Gjana

Greta Germizi

dhe Endri Guri

Këta të rinj, e ardhmja e Shqipërisë, përshkruan me fjalët e tyre rëndësinë e Aleancës së NATO-s. Ja një fragment nga eseja e Endri Gurit:

“Nuk mund të përfshij të gjitha ato që NATO përfiton nga Shqipëria dhe anasjelltas, por ajo që unë mund të përfshij është domethënia e thellë e një organizate të tillë në sytë e njerëzve që kanë vuajtur dhe luftuar përgjatë historisë për të arritur pavarësinë, paqen dhe stabilitetin”.

Jam e lumtur që këta autorë të rinj frymëzues mundën të na bashkoheshin këtë mbrëmje. Ju lutem bashkohuni me mua për t’iu dhuruar këtë duartrokitje.

Ky ka qenë një vit i jashtëzakonshëm gurësh kilometrikë – lidhjet tona dypalëshe dhe shumëpalëshe ushtarake, të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit janë më të ngushta se kurrë përmes investimeve si Baza Ajrore e Kuçovës; shkëmbimet tona akademike dhe kulturore po lulëzojnë; reformat e sektorit të drejtësisë janë duke ecur përpara me organet e pavarura të KLP dhe KLGJ të themeluara dhe duke punuar fort për  të ngritur SPAK, BKH dhe gjykatat më të larta; kemi shtuar përpjekjet për të forcuar median dhe për të ndërtuar shoqërinë civile dhe për të ndihmuar kushtet për një rritje të fortë ekonomike.

Dua të vlerësoj ekipin e jashtëzakonshëm të Ambasadës së Tiranës për organizimin e kësaj mbrëmjeje të mrekullueshme – janë kaq të talentuar dhe punëtorë – ju falënderoj për përpjekjet tuaja. Do të doja të falënderoja Njësinë tonë të përkushtuar të Rojes së Marinsave të Sigurisë për ceremoninë dinjitoze dhe mbresëlënëse të Paraqitjes së Flamurit. Dhe, sigurisht, kjo festë nuk do të ishte e mundur pa sponsorët tanë të shkëlqyer – të renditur në ekran dhe gjithashtu të identifikuar më herët nga mjeshtri ynë i ceremonisë. Faleminderit shumë për bujarinë tuaj.

Ka edhe një temë tjetër të rëndësishme sonte – të ngrënët dhe të pirit! Unë personalisht besoj se sonte menuja jonë është spektakolare dhe pasqyron larminë e pasur të kulturës kulinare amerikane – që nga sanduiçi “po’boy” me karkalec nga Nju Orlins, Luiziana dhe sanduiçi me biftek e djathë nga Filadelfia, Pensilvania … deri te patatja nga jugperëndimi me guakamolë dhe tartat me gaforre që janë bërë të njohura nga shteti i Merilendit … duke i hedhur sipër akullore amerikane me shurup. Ju sjellim gjithashtu uiski nga Tenesi, birrë nga Masaçusets dhe në një simbol të miqësisë sonë të madhe shqiptaro-amerikane, verë nga të dy vendet tona.

Pra, le t’i kthehemi tani argëtimit të sotëm, duke shijuar shoqërinë e miqve të mirë dhe muzikës së shkëlqyer luajtur për ne nga grupi i forcave ajrore të Shteteve të Bashkuara në Europë, “Ëings of Dixie”, të cilët na sjellin traditën e madhe amerikane të xhazit Dixieland. Siç thuhet për uiskin, krijueshmëria është 80% uiski dhe 20% akull — kështu që le të bëhemi krijues! Ju faleminderit sërish që keni ardhur dhe ju uroj të gjithëve një mbrëmje të mrekullueshme.

 

 

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT