Kronikë

Parandalohet një vrasje në Tiranë, arrestohet i shumëkërkuari (EMRI+FOTO)


               Publikuar në : 10:33 - 14/08/19 Enno

Policia ka ndaluar dhe arrestuar një person të dënuar për vrasje, i cili dyshohej se do të kryente një krim të rëndë në Tiranë.

Sipas njoftimit të policisë, mbrëmë rreth orës 20:50 është marrë informacioni se në rrugën “Bilal Xhaferi”, ndodhej një person i cili bënte lëvizje të dyshimta dhe dyshohej se kishte armë zjarri me vete.

Shtetasit Sadetin Erkoçeviq, 28 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër, iu gjet një pistoletë brenda në çantë, ndërsa mësohet se në vitin 2014 ai ka vrarë me armë zjarri pistoletë shtetasin I.Y. dhe ka plagosur një tjetër.

Ai është një nga 31 personat e listës së shtetasve më të kërkuar nga Policia e Shkodrës, i dënuar me 20 vjet burg për një vrasje të kryer në vitin 2014.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Parandalimi”

Falë bashkëpunimit me qytetarët, parandalohet një vrasje dhe vihet në pranga një person shumë i kërkuar me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Në zbatim të planit tëmasave për kapjen e personave në kërkim, evidentimin dhe kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në Tiranë, falë marrjes së informacionit nga qytetarët dhe bashkëpunimit mes strukturave të DVP Tiranë e DVP Shkodër, është bërë i mundur parandalimi i një vrasjeje. Një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore,  i dënuar për vrasje dyshohejse do të kryente një krim të rëndë në Tiranë.

Mbrëmë rreth orës 20:50 është marrë njoftimi nga ana e shërbimeve të Seksionit të Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë së Policia ka organizuar punën duke bërë lokalizimin e menjëhershëm të personit të dyshuar.

Shërbimet e Policisë kanë mbajtur nën kontroll personin duke bërë të mundur që me metoda të shpejta proaktive në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe Shkodër të identifikonin personin e dyshuar, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Shërbimet policore kanë ndërhyrë menjëherë duke e neutralizuar dhe shoqëruar në komisariatin e Policisë Nr. 2, shtetasin Sadetin Erkoçeviq, 28 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër.

Këtij shtetasi në momentin e kontrollit i është gjetur në çantën e dorës një armë zjarri pistolete e tipit Bereta, me 14 fishekë dhe një fishek në fole gati për qitje.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendim të formës së prerë në datën 15.02.2018, e ka dënuar me 20 vjet burg për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje te armeve e municioneve luftarake”.

Më datë 10.05.2014, në një lolal  me muzikë live, autori Sadetin Erkoçeviq ka vrarë me armë zjarri pistoletë shtetasin I.Y. dhe ka plagosur një tjeter.

Ky është rasti më i mirë për të falënderuar edhe njëherë qytetarët për bashkëpunimin dhe besimin që ata po krijojnë çdo ditë e më shumë. Kjo dëshmohet nga rritja e telefonatave në numrin unik 112 dhe e denoncimeve në Komisariatin Dixhital për paligjshmëri në të gjitha fushat.

Vetëm gjatë muajit korrik dhe gjysmën e parë të muajit gusht falë bashkëpunimit me qytetarët janë kapur 38 persona që qarkullojnë me armë zjarri, si dhe janë sekuestruar mbi 60 armë zjarri të kalibrave të ndryshëm dhe municoin luftarak.

Nga 275 operacione të koduara të zhvilluara nga strukturat e Policisë së Shtetit gjatë këtij 8 mujori, 123 prej tyre janë si rezultat i bashkëpunimit me komunitetin.

Policia e Shtetit fton edhe njëherë aleatin e saj më të çmuar, qytetarët që të bashkëpunojnë akoma më shumë me Policinë, të mbështesin Policinë, të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112, në Komisariatin Dixhital, duke garantuar anonimatin dhe një reagim të shpejtë e të paanshëm!

 

 

 

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT