Vendi ynë nuk po gjen qetësi pas atentateve me armë zjarri. Pas vrasjeve në Shkodër dhe Vlorë pak ditë më parë, ditën e djeshme janë shënuar dy atentate me armë zjarri, njëri në Berat dhe tjetri po në qytetin e Vlorës. Javët e fundit ka patur një seri atentatesh me armë zjarri në vend.
Vrasje në Vlorë
Dje u ekzekutua me armë zjarri 38-vjeçari Delon Troqe. 38-vjeçari është qëlluar para pallatit të Sportit në Vlorë. Ndonëse është dërguar menjëherë në spital, nuk ia ka dalë dot mbanë. Burimet nga policia kanë njoftuar se një makinë është gjetur e djegur në zonën e Sherishtës në Vlorë. Mjeti në fjalë dyshohet se është përdorur nga dy autorët.
20 persona shoqërohen në polici
Policia ka shoqëruar 20 persona në polici, të cilët dyshohet se kanë dijeni për ngjarjen. Viktima Delon Troqe ka patur dijeni për rrezikun që i kanosej, pasi atij i është gjetur një armë tip pistoletë të cilën e mbante në makinë. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë, dhe po heton si pistë kryesore konfliktet e mundshme që 38-vjeçari mund të ketë patur në Spanjë, vend nga i cili kishte ardhur pak kohë më parë.
Viktima, pronar i një servisi makinash
Viktima ishte pronar i një servisi makinash dhe një pike dhëniesh skafesh me qira gjatë sezonit të verës. I ndjeri kishte pak kohë që ishte kthyer nga Spanja.
Kush është Delon Troqe?
38-vjeçari rezulton se është kushëri me një tjetër person të përfshirë në trafikun e drogës. Ai është kushëriri i Elvis Troqe, i zhdukur që prej korrikut të 2018. Nga ajo kohë e deri më sot, prej të riut nuk ka asnjë shenjë. Ky është ekzekutimi i dytë që ndodh në qytetin e Vlorës brenda 12 ditëve, ku më 10 maj u ekzekutua me breshëri kallashnikovi në makinën e tij 40-vjeçari, Bledar Birçaj, i cili gjithashtu nuk kishte shumë kohë që ishte kthyer nga Spanja. Kjo është vrasja e katërt që ndodh në katër muaj në qytetin e Vlorës.
Detajet nga policia
Me anë të një deklarate për mediat, policia dha detajet paraprake. “Rreth orës 21:50, në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, në rrethana ende të pa qarta është qëlluar me armë zjarri shtetasi D. T., 38 vjeç, banues në Vlorë, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spitalin e Vlorës.
Shërbimet e policisë, kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, ku është rrethuar zona dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe në dalje të qytetit dhe përgjatë rrugëve që lidhin njësitë administrative me qëllim kapjen e autorit/ve. Gjatë krehjes së zonës, në fshatin “Sherishtë”, nga shërbimet e policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit/ve të ngjarjes. Gjithashtu janë shoqëruar në komisariat disa shtetas të cilët dyshohen se kanë dijeni për ngjarjen. Grupi hetimor po vijon punën për sekuestrimin e çdo prove materiale, që do ti shërbej zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimit të autorit/ve”, tha policia. /TIRANA TODAY