Eksperti i profilizimit kriminalistik, Ervin Karamuça është shprehur se 23-vjeçarja Evgjeni Baxho, e cila ndërroi jetë në mënyrë misterioze, ka qenë pjesë e një rituali vdekjeje. Deklarata e Karamuçës, u bë mbrëmjen e sotme në emisionin ”Open” në Top Channel.
Karamuça tha se ky ritual bëhet nga një tjetër person, teksa në lidhje me simbolet e gjetura në trupit e viktimës, ai deklaroi se mund të bëhen edhe online, pasi fillimisht ata joshen me kurse anglishteje. Më pas, sipas tij, vjen një moment kur personave si Baxho, i bëhet shpëlarje ideologjike.
Eksperti ngre alarmin dhe u bën thirrje prindërve që të bëjnë kujdes pasi fëmijët e tyre nëpërmjet kompjuterit dhe internetit mund të bien pre e këtyre ngjarjeve.
Ervin Karamuça: ”Janë pjesë e një rituali vdekje, janë sakrificë, jo vetësakrificë, por ia bën dikush tjetër. Personat janë në një gjendje transi kur i bëjnë këto shenja mund të bëhet dhe online. Personi është në gjendje shock-u, në gjendje shumë të rënduar mendore. Është vrasje, jo vetëvrasje. Personi nuk i ka bërë asgjë vetes, por dhe personi apo personat që kanë qenë të pranishëm. Ata nuk kanë kryer veprime të njëpasnjëshme kriminale, thjesht kanë kryer ritualin.
Në një manual që po lexoja mbrëmë, këta persona janë të pamotivuar, pa mbështretje, i ofrohen kurse anglishtje. I ofrohen të bëhen pjesë e ritualeve me kafshë dhe më pas mbeten peng i bëjnë lavazh truri derisa më pas ata bëhen pre. Nuk e dinë se do humbasin jetën, por ja që ndodh. I bëjmë apel prindërve që të ruajnë fëmijët.”