Ekspertët e OBSH-së dalin nga karantina, nisin hetimet në Wuhan për Covidin

Ekipi i ekspertëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) do të fillojë punën në terren, në Wuhan të Kinës, pasi anëtarët e tij e kanë përfunduar karantinën.

Ekipi do të hetojë origjinën e koronavirusit të ri që e shkaktoi pandeminë e COVID-19. Pasi mbërritën në Kinë, atyre iu kërkua të qëndrojnë në karantinë për 14 ditë.

Shkencëtarët do të fillojnë të intervistojnë njerëz nga institutet kërkimore, spitalet dhe tregu i prodhimeve të detit të lidhura me shpërthimin fillestar.

Hulumtimi i tyre do të mbështetet në provat e siguruara nga zyrtarët kinezë. Kjo vjen pas muajsh negociatash midis OBSH-së dhe Pekinit.

Pekini deri më tani ka kundërshtuar përpjekjet ndërkombëtare për të gjetur origjinën e virusit, i cili ka vrarë më shumë se 2.1 milionë njerëz në të gjithë botën.

Kina gjithashtu është kritikuar për kushtet që vendosi për vizitën e ekipit dhe teoritë e qeverisë kineze që thonë se faji për shpërthimin e koronavirusit është diku tjetër.