Analisti Dritan Hila publikoi dje një denoncim ndaj kreut të Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, ku pretendon se e kishte kërcënuar.
Shkak për këtë është bërë një lajm i postuar lidhur me situatën e përmbytjeve në Greqi, ku Hila ka zgjedhur të ironizojë kreun e Emergjencave Civile, Shemsi Prençin.
Konkretisht, teksa ka postuar lajmin me titull “Foto/ Gjendje alarmante në Greqi, shkon në 16 numri i të vdekurve”, analisti Hila ka ironizuar duke krahasuar menaxhimin e situatave të tilla në Shqipëri, teksa shkruan se numri i të mbyturve në vendin tonë në rast të një drame të tille do të shkonte në 1600:
“Pavarësisht inateve që mund të kemi, mendoj se ka ardhur koha që t’iu çojmë Shemsiun grekëve për ndonjë parashikim. Kjo qeveri duhet t’i ndajë asetet e saj me aleatët dhe jo vetëm për vete.
(Shyqyr që Zoti nuk na vë në provë dhe budallallëku jonë mbetet brenda kufijve pasi po të kishim të tilla drama, do të na ishin mbytur 1.600).”
Sipas Hilës, ky postim ka bërë që Prençi ta telefonojë dhe ta kërcënojë, duke iu drejtuar me fjalë, si “të tërheq zvarrë”, apo “e vazhdojmë edhe personalisht”.
Por, kreu i Emergjencave Civile, i kontaktuar nga Tirana Today, i ka hedhur poshtë këto akuza, teksa u shpreh se nuk e ka kërcënuar asnjëherë analistin Hila.
Madje, Prençi ka nisur në redaksinë tonë mesazhin që i ka nisur Hilës, ku i shkruan ndër të tjera që të mos luajë me emrin e tij.
“Ju lutem njihuni me përgjigjen që i kam kthyer Dritan Hilës në messenger.
Nëse ky është kërcënim, z.Hila t’i drejtohet Prokurorisë.
Paraprakisht Hila duhet të dijë se është tallur me fatkeqësinë e popullit grek duke ironizuar personin tim dhe njëherazi duke ndryshuar kontekstin e prononcimeve të mija publike në lidhje me parapërgatitjen për përballimin e të gjitha emergjencave”, shprehet Prençi për Tirana Today, teksa dërgon edhe mesazhin nisur Hilës, i cili përmban këtë tekst:
“Mbaje veten Dritan se as ju nuk e dini mirë se aset i kujt jam unë pasi Partisë tonë të përbashkët i kam shërbyer më shumë se ju, por mos u nxito. Në karrierën time 30-vjeçare në Polici dhe në Emergjenca kam treguar se e zotëroj profesionin e madje kam menaxhuar situata tepër të vështira pavarësisht se cila parti ka qenë në pushtet.
Të rekomandoj mos luaj me emrin tim kur nuk më njeh mirë sepse kështu turpëron emrin tuaj dhe madje bën të të harrohet dhe emri. Miqësisht Shemsi Prençi”.
Po ashtu, kreu i Emergjencave Civile pranon që pas këtij mesazhi ka pasur një bisedë telefonike me Hilën, por mohon të ketë pasur kërcënime mes tyre.
Por, çfarë thotë Prençi për bisedën mes tyre dhe cili është qëndrimi i tij pas akuzave për kërcënim të Hilës?
Prençi për Tirana Today: Të na thotë zoti Hila nëse është ekonomist për të cilën ka mbaruar studimet, diplomat për të cilën e ka shpërblyer partia pa asnjë shkollë për diplomat….?!, gazetar…?! , analist..?! , pa asnjë ditë shkollë për analist apo gazetar…?!!!! Apo ironik dhe tallës me të tjerët duke abuzuar me emrin e gazetarit dhe analistëve për të cilët unë kam shumë respekt.
Nuk e kam kërcënuar, por i kam thënë: Mos ironizo me emrin tim dhe mos u tall me fatkeqësinë e popullit grek. Unë jam zyrtar shteti, por me këtë model sjellje do të hasesh në ndonjë që do të të heqë zvarrë…. Por jo se do e tërheq unë zvarrë. Dritani para se të shkruajë statuse dhe artikuj duhet të mendojë që më pas të mos bëjë qaramanin publik për të rritur audiencën…! Hila ka përdorur ironi ndaj Shemsiut, por ka harruar se Shemsiu ka vendlindjen në origjinën e ironisë.
Më tej, kreu i Emergjencave Civile shprehet për redaksinë tonë se ai ka burgosur qindra kriminelë e vrasës në karrierën e tij dhe e kanë kërcënuar, por ironizon teksa thotë se askush nuk është qarravitur siç po bën tani Hila.
“Në karrierën time kam futur me qindra kriminelë e vrasës në burg e më kanë kërcënuar, por nuk janë qarravitur siç po bën Dritani. Faleminderit”, përmbyll Prençi./ Tirana Today