Janë afro 30 vogëlushë që kryejnë procesin mësimor në këtë godinë të fshatit Sukth në rrethin e Krujës.
Prej më shumë se dhjetë vitesh, ata ulen në bankat e kësaj ndërtese të dhënë me qira nga një familjar i treguar zemërgjerë ndaj vogëlushëve të fshatit.
Në këtë “shkollë”, janë dy dhoma të vetme ku nxënësit përpiqen të përfitojnë dijet e tyre në klasa kolektive, dhe në korridorin e saj janë disa bombola që kanë shërbyer gjatë dimrit të shkuar. Ndërsa ngjitur gjenden disa copa dërrasash nga bankat e thyera.
Kjo është panorama e ambienteve të saj në ditën e parë të shkollës.
Një fshat i tërë është shqetësuar prej dhjetë vitesh nga kjo situatë alarmante për rrezikun që u kanoset fëmijëve nga rënia e tavanit të kësaj ndërtese të shndërruar në shkollë.
Gjatë këtyre viteve, dy mësues janë të besuarit e mësimdhënies, ndonëse kushtet janë tërësisht skandaloze, teksa nuk mund të diskutohet për kabinete apo dhe kënde sportive.
Skëterra vazhdon më tej. Bankat janë tërësisht të amortizuara, dyert dhe dritaret në të njëjtën gjendje, ndërsa për tualete shfrytëzojnë shkurret përreth ambienteve të shkollës.
Një banor vendas rreth të 70-tave , Muharrem Llani , shpreh keqardhjen për këta fëmijë dhe këtë situatë mjaft të rënduar, pasi duket se ky fshat ndodhet jashtë Shqipërisë, është braktisur nga të gjithë.
“Fëmijët tanë sfiliten me të tilla vështirësi duke përshkuar afro një orë rrugë në këmbë për të ndjekur mësimin tek shkolla e fshatit Gramëz si fshati më i afërt ku ndodhet katër kilometra nga rruga nacionale dhe më pak se 30 nga kilometri zero të kryeqytetit, nxënës të cilët zhvillojnë mësimin e ciklit nëntë vjeçar” shprehet Llani .
Banorët e fshatit Sukth vendas merren kryesisht me punët e bujqësisë.
Në këtë rrethinë shtëpitë janë të ndërtuara mjaft me shije nga investimet që kanë kryer, ndërsa kontrasti me gjendjen në të cilën shkolla ndodhet është si nata me ditën. Nga ana tjetër, nxënësit të cilët nuk kanë tjetër opsion, për të zbukuruar sadopak këtë ditë të re në shkollën e vjetër, u kanë dhuruar buqeta me lule dy mësuesve. (Tirana Today)