Borxhi i Jashtëm Bruto, ku përfshihet borxhi publik dhe ai privat, u shtua gjatë vitit të kaluar me 3% ose 228 milionë euro.
Sipas raportimit të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit dhjetor të 2016-s, Borxhi i Jashtëm Bruto (BJB) shënoi rreth 7,862 milionë euro. Sektori i Qeverisë së Përgjithshme zotëron pjesën kryesore të BJB, me rreth 43% të vlerës, ndërsa pjesa tjetër është e shpërndarë midis bankave (17%), sektorëve të tjerë (16%) dhe autoritetit monetar (1%), si dhe në hua mes kompanive të lidhura në një marrëdhënie investimi direkt (22%).
Stoku i borxhit të Autoritetit Monetar ose Bankës së Shqipërisë ra përgjatë vitit me rreth 17%, në reflektim të shlyerjeve të huave të garantuara nga Qeveria dhe në fund të muajit dhjetor 2016 shënon 63 milionë euro, raporton Monitor.al.
Akumulimi i stokut të borxhit të jashtëm vijon të mbetet i përqendruar në formën e “investimeve të tjera” (me 70% të stokut të borxhit), kryesisht “hua”.
Në harkun kohor të një viti, borxhi afatshkurtër u zgjerua me 141 milionë euro. Sektori i Qeverisë së Përgjithshme dhe ai i Autoritetit Monetar zotërojnë vetëm borxh afatgjatë.
Shërbimi i borxhit (pagesat e principalit dhe të interesit) për të gjithë sektorët e ekonomisë, gjatë tremujorit të katërt të vitit 2016, shënoi vlerën 121.8 milionë euro. Nga këto, rreth 56 milionë euro u paguan nga Qeveria e Përgjithshme, 54 milionë euro nga Sektorët e Tjerë, 11 milionë euro nga Sistemi Bankar dhe 0.2 milionë euro nga Autoriteti Monetar. Nga vlera gjithsej e shërbimit të borxhit gjatë periudhës rreth 89% ka shkuar për shlyerje të kryegjësë (principalit) dhe rreth 11% ka shkuar për shlyerjen e interesave.