Pak para zgjedhjeve të 30 qershorit, kandidati i pavarur për Bashkinë e Lezhës, Eduart Ndocaj, me anë të një videoje në rrjetin social Facebook ka apeluar ndaj të gjithë lezhjanëve të denoncojnë blerjen e votave nga kandidati i afirmuar tashmë i PS-së, Pjerin Ndreu. Ai bën thirrje që të gjithë qytetarët në këtë Bashki që hasin raste të blerjes së votave, do të shpërblehen nga ai vetë personalisht nëse u bëjnë video dhe e faktojnë me prova.
Ndocaj pretendon se Ndreu do të bëjë pazare me votën, dhe në thirrjen e tij thotë se nëse në video do të shfaqet kandidati i Partisë Socialiste, ai do të ofrojë 50 mijë euro vetëm që të zotërojë videon.
“Kundërshtari im ka hap thesin e Rilindjes me lek. Kanë 6 vite që ju vjedhin ju. Por Lezha nuk do të shitet këtë radhë. Mos e shitni shpirtin djallit.
Nëse ju ofrohen lek, dhe mund t’i bëni një video këtyre duke shit votën, unë do jua blejë këtë video 5 mijë euro, duke ba matrapazlliqe me votën e lezhjanëve. Nëse do të jetë edhe Ndreu në këtë video, unë do t’jua blejë 50 mijë euro këtë video. Bëjani këtë të mirë Lezhës, ti largojmë këta hajduta”, ka thënë Eduart Ndocaj.