Edi Rama u dorëzon familjarëve të Arjan Salës certifikatën “Dëshmor i Atdheut

Në vizitën që i ka bërë ditën e sotme familjes së të ndjerit Arjan Sala, Kryeministri Rama ju ka dorëzuar çertifikatën e “Dëshmorit të Atdheut” për aktin heroik që djali i tyre bëri disa ditë më parë, ku shpetoi te gjithë punëtorët që ishin bllokuar në magazinë.I përlotur babai i tij u shpreh se nuk e dija që kisha një djalë kaq trim.Duke marrë shkas nga këto fjalë Kryeministri tha se dija dhe edukata që i keni dhënë e ka bërë atë trim.

BISEDA

Rama: Fjalët janë të tepërta, por sidoqoftë duhet te jemi krenar sepse ka shpëtuar shumë njerëz, fatkeqësisht me çmimin e jetës së tij. Por ka bërë vërtet një heroizëm të madh edhe shumë të rrallë. Natyrisht që jeta është… S’ka çmim! Sidoqoftë ne menduam që është detyra jonë që ta nderojmë dhe ta vlerësojmë, dhe vendosëm që ta shpallim “Dëshmor të Atdheut”. Do ta mbështesim më sa kemi mundësi familjen me famijën e vogël. Ligjërisht i takon një pension i veçantë, por ne duam të japim një shumë direkte për familjen. Këto janë më shumë për respekt se sa bëjnë ndonjë ndryshim. E di që është e tmerrshme, se imagjinoj dot. E marr me mend sa mundem.

Rama: Po të mos ishte ai, do ishin shumë familje duke qarë.

Babai i të ndjerit: Shumë nëna duke qarë.

Nëna e të ndjerit: Lanë vetëm një me qa!

Rama: Fatkeqësisht të mbeti vetëm ty, sidoqoftë duhet të jeni shumë krenar. Disa gjëra janë të pashpjegueshme, si të shkruara.

Nëna e të ndjerit: Djali i vogël e ka kërkuar. Iu tha goja për babanë!

Bashkëshortja e të ndjerit: Nuk dimë ça t’i themi fëmijës!

Rama: Të gjithë rregullohen përveç nënës që nuk pajtohet dot me këtë gjë. Kush e lindi nuk pajtohet dot me këtë gjë.

Babai: Nuk e besoja që kam aq djalë trim.

Rama: Trim e kanë bërë zemra dhe edukata që i keni dhënë. Nuk u ka kthyer shpinën të tjerëve por ka shkuar deri në fund.

Njoftimi për shpalljen e Arjan Salës “Dëshmor i Atdheut”

Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” nën drejtimin e ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi shpalli “Dëshmor i atdheut” shtetasin Arjan Fadil Sala, i cili humbi jetën në mbrojtje të kolegëve të tij gjatë rënies së zjarrit në një qendër tregtare në Tiranë.

Akti heroik i shtetasit Arjan Sala bëri që komisioni ta nderojë me statusin më të lartë, me motivacionin: “Humbur jetën në përpjekje për të shpëtuar popullsinë në raste fatkeqësie”.

Gjithashtu, Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” vendosi dhënien e shpërblimit financiar mujor rrethit familjar të dëshmorit, sipas certifikatës së gjendjes familjare në çastin e vdekjes së Dëshmorit të Atdheut, duke filluar nga data e shpalljes së vendimit.

Certifikata e Dëshmorit të Atdheut dhe simbolit “Familje e Dëshmorit të Atdheut”, do t’i dorëzohet familjes së Dëshmorit të Atdheut Arjan Fadil Sala.