E mërkurë, 16 Qershor, 2021
16.5 C
Tirana

Edhe për sa kohë do t’i tolerojë Perëndimi autokratët të bëjnë çfarë të duan?

Nga Edward Lucas “Center for European Policy Analysis”

Aleksandër Llukashenko mund të duket si një personazh që vjen nga një roman satirik, dhe që flet mbi një vend imagjinar të Evropës Lindore. Është e lehtë të tallesh me mënyrën e

të folurit të liderit autoritar bjellorus, me gjuhën e ngathët të trupit të tij, me botëkuptimin iluzor dhe me zakonet e tij nepotike (djali i tij Nikolai, ishte i pranishëm në drekën e javës së kaluar me Vladimir Putinin).

Por Llukashenko është një personazh i vërtetë, i lig dhe triumfues. Arrestimi i 2 pasagjerëve në një fluturim civil që kalonte mbi territorin e vendit të tij, ishte një marifet që edhe një superfuqi do ta kishte parë si një akt të guximshëm.

Ai shkaktoi një zhurmë të madhe ndërkombëtare, e cila ka qenë gjithsesi tërësisht e paefektshme. Llukashenko e ekspozoi njëkohësisht edhe mungesën e “dhëmbëve” të Perëndimit, e frikësoi më tej opozitën në vend, dhe nënvizoi mbështetjen e regjimit të tij nga i vetmi vend që ka rëndësi për të:Rusia.

Nuk është aspak ngushëllues fakti që ky problem ka rrënjë të thella. Perëndimi ka pasur më shumë se një çerek shekulli kohë për t’u përqendruar tek problemi bjellorus. Disa lexues mund të kujtojnë ngjarjet e vitit 1995, kur forcat bjelloruse të mbrojtjes ajrore vranë dy pilotë amerikanë të balonave që po merrnin pjesë në një garë ndërkombëtare.

Organizatorët kishin njoftuar siç duhet autoritetet e Minskut, por pa kryer asnjë hetim mbi rrëzimin e një baloni tërësisht të padëmshëm për sigurinë e vendit, apo kërkimit të ndjesës dhe pagimit të një dëmshpërblimi, regjimi e manipuloi ngjarjen.

Ai duhej të ishte një sinjal i qartë se kishim të bënim me një shtet mashtrues në zemër të Evropës. Katër vjet më vonë filluan vrasjet. Midis viteve 1999-2000, ish-zyrtarët Juri Zakharenka dhe Viktar Hanshar, biznesmeni Anatoli Krasuski dhe gazetari Dmitri Zavadski u zhdukën, dhe tani ne e dimë që ata u ekzekutuar nga një togë pushkatimi e regjimit.

Sërish Perëndimi nuk ndërmori asgjë efektive. Dhe që atëherë, regjimi i paligjshëm dhe i dhunshëm në Minsk nuk po mban rob vetëm qytetarët e tij; ai po na kërcënon edhe ne të tjerëve. Stacioni i energjisë nukleare Astravets, i ndërtuar në kufi me Lituaninë, është një armë e drejtuar drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Lituania na paralajmëroi vazhdimisht për të. Por ne nuk bëmë asgjë. Për 3 dekada përbërësit kryesorë të politikës perëndimore ndaj Bjellorusisë, kanë qenë mospërputhja dhe mendimi i dëshiruar. Provoni të jeni i sjellshëm. Ose të vrazhdë. Diçka do të ndodhë.

Mbështetuni tek opozita. Ose neglizhojeni atë. Ndoshta Rusia do t’i rregullojë gjërat. Mos bëni asgjë, dhe problemi mund të zhduket vetvetiu. Asnjë nga këto qasje nuk ka funksionuar. Pavarësisht nga të metat e tij, Llukashenko është më i fortë dhe më i guximshëm se më parë. Dështimi për t’u angazhuar me këtë vend me më pak se 10 milion njerëz në kufirin e BE-së, është emblemë e një problemi shumë më të gjerë.

Perëndimi nuk është i gatshëm të pranojë që përballet me zgjedhje të vështira për mbrojtjen dhe sigurinë e tij, në një botë ku regjimet e këqija po u bëjnë gjëra të këqija njerëzve të tyre, por dhe vendeve të tjera. Dëshmitë për këtë janë “shkruar’ tashmë në gjakun e mijëra ukrainasve të vrarë që nga pushtimi rus i vitit 2014.

Ato nënvizohen nga jeta e vështirë e miliona të burgosurve të kampeve e përqendrimit të Kinës, dhe nga shpresat e shtypura të njerëzve të Hong Kong. Tani tentakulat e ndikimit, fuqisë dhe ligësisë së kundërshtarëve, po shtrihen thellë brenda Perëndimit.

Rusia vret njerëz në Berlin dhe Londër, Kina rrëmben disidentët dhe u mbyll gojën kritikëve kudo që i pëlqen asaj. Siguria dhe liria po lëkunden. Perëndimi kishte një shans shumë më të mirë për t’i ndrequr këto probleme në dekadat e kaluara. Por në vend të kësaj, ai e shpërdoroi prestigjin dhe fuqinë e vet. Udhëheqësit tanë e shpërfillën kërcënimin nga vendet autoritare dhe kleptokracitë.

Tani ne jemi gjithnjë e më të vetëdijshëm mbi rrezikun, por e kemi shumë më të vështirë që të përballemi me të. Demokracitë janë ende më të mëdha dhe më të pasura se sa armiqtë e tyre.

Por ato janë të pavendosura, të përçara dhe me disa përjashtime të keq-udhëhequra. Llukashenko i kupton më mirë se ne dobësitë tona. Imagjinoni sesi do të ishte një botë e drejtuar nga njerëz si ai. Ky është një skenar më i afër sesa mund ta mendoni.

burimi: https://cepa.org/kleptocracy-rules-ok

Përshtatur për Tirana Today

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Autogol, gola të anuluar dhe shtyllë, Franca ”gjunjëzon” Gjermaninë në Mynih

Përfundon supersfida e grupit F mes Francës dhe Gjermanisë. Gjermania e Lëv tronditet që në fillim të kampionatit europian. Skuadra e Didier Deshamps kaloi...

Pekini akuzon NATO-n për ekzagjerim të kërcënimit nga Kina

Kina ka akuzuar NATO-n se është duke shpifur për zhvillimin e saj paqësor, pasi liderët e aleancës kanë paralajmëruar për “sfida sistematike” që vijnë...

Biden shpall planin e parë kombëtar për të luftuar terrorizmin e brendshëm

Presidenti amerikan Joe Biden shpalli atë që ai e quajti plani i parë kombëtar për të luftuar terrorizmin e brendshëm. Në një deklaratë të martën,...

A mundet Basha të përjashtojë Berishën? Ja si përgjigjet Nishani

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Bujar Nishani deklaroi se kryetari i zgjedhur Lulzim Basha, nuk mund ta përjashtojë Sali Berishën nga grupi...

RENEA kontrolle në terren, vë me shpatulla pas murit disa persona në lokal

Forcat RENEA dhe FNSH kanë dalë sërish në terren mbrëmjen e sotme, në kuadër të aksionit për kapjen e personave të shpallur në kërkim,...