Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi gjatë fjalës së mbajtur përpara protestuesve ka akuzuar kryeministrin Rama për situatën në të cilën ndodhet vendi.
Sipas saj, Rama mendon për veten, jo për Shqiptarët, duke i detyruar ata të largohen nga vendi, por theksoi “se shqiptarët ngrihen fort dhe të thyejnë turinjtë”.
Gjithashtu, Kryemadhi ka pranuar edhe fajet që se si politikanët kanë mbyllur sytë para të këqijave që Rama i ka bërë këtij vendi.
Ndër të tjera, Kryemadhi u shpreh se Rama ka kthyer një prokurori që shërben për bandat, ndërsa foli dhe për rrezikun e kthimit të vizave.
“Ne sot mbajmë vendin e parë në Europë për azilkërkues. Të gjitha duan të largohen nga Shqipëria. Kjo do të sjellë heqjen e vizave. Ky njeri që nuk mendon për shqiptarët por vetëm për veten e tij ka detyruar shqiptarët të ngrihen dhe të ikin. Ky njeri do të kthejë dhe njëherë trafikun e vizave. Ky ka krijuar probleme pafundësisht. dështoi si qeveri me 300 mijë vende e punës. Nuk hapi 300 mijë vende pune por largoi 400 mijë shqiptarë nga Shqipëria. E kemi dëgjuar që do hiqte TVSH-në për fermerët por iu shtoi taksat”, tha kryetarja e LSI.
Gjithashtu, ajo deklaroi se djegia e mandateve të opozitës për shumëkënd mund të jetë veprim ekstrem, i nxituar por se ishte përgjegjësi e plotë e atyre deputetëve që morën përsipër të jenë njësh me popullin.
“Djegia e mandateve për të treguar se interesi publik është më i madh se interesi i 5 njerëzve që drejtohen nga Edi Rama. Ishte një ‘mea culpa’ i jonë që ne sot nuk duhet të ndalemi por të ecim para për të thënë se shqiptarët e kanë vetë fatin në dorë”, tha Kryemadhi.