Në Kosovë pritet që të vijë së shpejti një aparaturë, e cila do të bëjë të mundur që të tregojë brenda 10 minutave nëse pacienti është apo jo i infektuar me koronavirus. Pajisja në fjalë është krijuar nga kompania “Spring” me bazë në Zvicër, pjesë e së cilës janë edhe dy shqiptarë të Kosovës. Një prej përfaqësuesve të kompanisë, Agron Selimi, ka treguar në emisionin “Pressing” se si do të procedohet. Ai ka rrëfyer më tej se Ministria e Shëndetësisë është në bisedime me kompaninë zvicerane. Agron Selimi ka zbuluar se kjo aparaturë do të mbërrijë në Kosovë javën e ardhshme.
“Ne përfaqësojmë kompaninë “Spring” nga Zvicra, që është kompani që merret me hulumtimin e këtyre gjërave teknologjike. Kjo është një kompani zvicerane që ka partneritet me organizata shtetërore, dhe testi bëhet siç bëhet matja e diabetit. E merr gjakun dhe e vendos në një provëz. Është edhe një pjesë tjetër e likidit dhe e testojmë. Është në testim dhe deri tani janë shitur 30 milionë copë.
Ministria e Shëndetësisë është në bisedime drejtpërdrejt me kompaninë. Mendoj se do ta sjellim në javën e ardhshme, dhe është e mirë për çdo qytetar. Është e mundshme të bëhet çdo natë. Është optimale për policinë dhe ushtrinë, që nuk mund të bëjnë teste dhe të presin rezultate. 20 mijë copë do të sjellim në fillim të javës së ardhshme. 98% është saktësia e mjetit”.
Në Kosovë ka shkuar në 16 numri i të infektuarve me koronavirus, ndërsa qytetarëve u bëhet thirrje që t’i respektojnë rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se pas mesnate, në laboratorin e IKSHPK-së është konfirmuar edhe një rast pozitiv me COVID-19, duke e çuar numrin gjithsej në 16.