Një nënë nga Kruja kërkon të takojë fëmijët e saj të cilët prej dy vitesh jetojnë me ish-bashkëshortin. Gruaja është martuar shumë e re, në moshën 16-vjeçare. Martesa u bë në vitin 1997, asokohe çifti u njoh me shkuesi. Nga kjo lidhje erdhën në jetë tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Jetesa e çiftit së bashku me prindërit e bashkëshortit, sipas gruas, nuk ka qënë e lehtë.
Nëna e tre fëmijëve shpeshherë ka patur debate me vjehrrën. Por sipas saj, shkak i divorcit ka qënë një telefon të cilin gruaja e ka gjetur rastësisht teksa përshkronte rrugën. Pas debateve të shumta dhe dyshimeve, burri vendosi të lërë bashkëshorten. Në 2016 çifti u nda, por nëna asokohe nuk kishte as të ardhura ekonomike dhe as një strehë ku të qëndronte, ndaj me vendim gjykate bashkëshorti mori kujdestarinë e tre fëmijëve.
38-vjeçarja nuk ka arritur të paguajë pensionin ushqimor, frika e saj është se edhe nëse do shlyente detyrimet ushqimore, ajo sërish nuk do të takonte fëmijët e saj. Sipas gruas, ish-bashkëshorti i cili është rimartuar sërish së bashku me familjarët e tij ushtrojnë presion, që fëmijët mos ta takojnë atë. E dëshpëruar, ajo kërkon një zgjidhje pasi nëse dy djemtë ka arritur t’i shohë, vajzën që është dhe fëmija më i vogël, ka dy vjet që nuk e sheh.
Në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur”, gruaja u përball me ish-bashkëshortin, i cili i plasi në fytyrë faktin se fëmijët nuk duan ta takojnë, për shkak se ajo e ka tradhtuar. “E ke pranuar në gjykatë ti, e ke pranuar para vëllait tënd dhe tre fëmijëve tradhtinë”, iu hakërrye ish-bashkëshorti.
“Unë dua t’i takoj, por nuk më lënë”, tha 38-vjeçarja. /balkanweb.com