Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, ka reaguar pas etiketimeve fyese të përdorura kundrejt saj nga nënkryetari i Parlamentit, Myslim Murrizi. E ftuar në “Ftesë në 5” me Bieta Sulon, ajo tha se personalisht nuk është prekur aspak nga fjalët e deputetit, por institucionalisht nuk mund ta tolerojë gjuhën denigruese që ai ka përdorur.
“Personalisht unë nuk e pranoj fare këtë gjënë që ka thënë zotëria. Për hir të së vërtetës, nuk më prek fare personalisht. Unë e di kush jam dhe nuk ka nevojë të ma thotë një njeri si ai, dhe e di gjithkush me të cilët kam punuar apo më kanë dëgjuar qoftë edhe një herë të vetme.
Unë e njoh veten për një profesioniste të mirë, ka shumë njerëz që thonë se jam një profesioniste shumë e mirë, dhe jam një mijë përqind e bindur se punët që kam bërë, arritjet e mia, sukseset e mia profesionale nuk varen absolutisht nga fakti nëse një njeri ka një opinion në lidhje me pamjen time”, tha ndër të tjera ajo.
Deputeti demokrat Myslim Murrizi doli më herët në një deklaratë për mediat, duke kërkuar falje për fjalorin e përdorur ndaj një ndjekësi të tij në “Facebook”, të cilin e quajti “down”. Më pas Murrizi e shfryu dufin kundër Avokates së Popullit, Erinda Ballanca, të cilën e quajti “pjeshkëz” dhe i kërkoi që të mos bënte ciu-ciu, sikur është prekur nga gjuha e tij për personat me sindromën down, pasi sipas tij, nuk e di që ekziston ky grup social.
“Ndjej keqardhje për lëndimin që u kam shkaktuar, ndaj kërkoj falje publike nga komunikimi im në faqen private, për t’iu garantuar ata që si qytetarë do kenë mbështetjen time”, tha Murrizi në një dalje për mediat, ndërsa sulmoi Avokaten e Popullit, Erinda Ballanca.