Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka thënë ditën e djeshme në mbledhjen e Kryesisë, se sipas disa informacioneve të tij, një deputet i PS-së në Durrës është përgjuar nga prokuroria duke biseduar me një grup kriminal.
Basha është shprehur se ky rast, është i ngjashëm me atë të dosjes 339, teksa shtoi se PD ka krye shumë ankimime në SPAK, por nuk kanë kthyer përgjigje.
Lulzim Basha: ”Ne kemi bërë shumë ankimime në SPAK dhe deri tani nuk na kanë kthyer përgjigje. Por unë kam mësuar se një deputet i PS-së në qarkun e Durrësit është përgjuar nga prokuroria duke komunikuar me një grup kriminelësh në Durrës. Është situatë e ngjashme me dosjen e 339.”
Çfarë vendosi Kryesia ditën e djeshme
I. Thirrjen e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të Partisë, ditën e shtunë, datë 17 Korrik 2021, ora 11:00. Propozimet që do ti bejë kuvendit kombëtar:
II. Rendi i ditës së mbledhjes së Kuvendit Kombëtar, është si më poshtë:
“1. Informimi i Kuvendit Kombëtar të Partisë mbi analizën zgjedhore të 25 Prillit 2021 dhe përcaktimi i linjave kryesore të strategjisë politike të Partisë Demokratike, në rolin dhe përgjegjësinë e saj në mbrojtjen e demokracisë, të drejtave themelore të njeriut dhe rikthimit të legjitimitetit të institucioneve demokratike.
2. Vlerësimi i mundësisë për ndryshime në Statutin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, në funksion të rritjes së eficencës së organeve të partisë apo demokratizimin e mëtejshëm të mënyrës së funksionimit të strukturave të Partisë.
3. Zgjedhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.”.