Ende mbeten të paqarta shkaqet e aksidentit tragjik në Bullgari, ku humbën jetën 46 persona. Pronari i kompanisë së udhëtimeve turistike “Besa Trans”, është shprehur se ende nuk i di shkaqet e aksidentit fatal në Strumë të Bullgarisë. “Nuk e di se si ka ndodhur rasti. Që nga ora 3 e mëngjesit jam në vend të ngjarjes, për të marr informacione nga institucionet bullgare, por deri më tani ende nuk dihen shkaqet”, tha ai për televizionin shqiptar “TV 21” në Maqedoninë e Veriut.
Informacionet e para kanë konfirmuar se shoferi i autobusit me pasagjerët që ktheheshin pas një vizite turistike në Turqi, ka ecur me shpejtësi të lartë mbi 100 km/h. Përplasja e fortë me bordurën anësore shkaktoi ndezjen e zjarrit, duke u marrë jetën 46 qytetarëve, ndërsa 7 të tjerë mundën të shpëtonin.
E mërkura do të jetë ditë zie në Bullgari, pas incidentit tragjik ku humbën jetën 46 shqiptarë të Maqedonisë e Veriut. Lajmin e bëri të ditur zv/kryeministri Galab Donev në Varna.
Nëntë persona kanë humbur jetën nga zjarri në një shtëpi të të moshuarve në fshatin Rojak të Varnës. Pak orë më vonë, në orën 02:00, një autobus u përfshi nga flakët në autostradën e Strumës, dhe për pasojë humbën jetën 46 persona dhe mbetën të lënduar shtatë të tjerë.