E la jashtë liste/ Rama shuan zërat për debatet me Bushatin: Ja çfarë më tha

Mbrëmjen e djeshme, shumica e partive politike përfshirë edhe dy më të mëdhatë, PS dhe PD, dërguan në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), listën përfundimtare të kandidatëve për deputetë, të cilët do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Nga kampi socialist, një nga emrat më të spikatur dhe ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati u la jashtë listës.

Gjatë konferencës me gazetarët ditën e sotme në selinë rozë, kryeministri Edi Rama tha se nuk ka asgjë personale me Ditmir Bushatin, përkundrazi, dhe e cilësoi atë si një nga investimet e tij më të rëndësishme.

Rama tha se Bushati i kishte kërkuar ta mbështeste që të bëhej sekretar i OSBE, gjë të cilën kreu i qeverisë e realizoi.

Edi Rama: Ditmir Bushati ka ardhur tek unë dhe më ka thënë; “dua të bëhem sekretar i OSBE, dua mbështetjen tënde”. Dhe unë i kam thënë; “Po, do kesh mbështetjen time”. Ai ishte një nga kandidatet, i kemi dhënë të gjithë mbështetjen, edhe pse në kushte jo fortë të lehta pasi duke qenë kryetar në detyrë i OSBE për 1 vit dhe në vitin kur duhej të zgjidhej 4-shja e sekretariat që ishte pa u zgjedhur. Disa vende kanë shprehur rezerva, në kushtet kur Shqipëria ka për 1 vit drejtimin e OSBE, ndaj kjo e bën kryetarin e OSBE të pabesueshme. Unë deri në fund e kam mbështetur Bushatin.

Ka ardhur si qytetar dhe ka besuar tek vizioni, dhe punoi me mua për një periudhë kohë. Bushati është bërë ministër sepse e ka bërë PS. Shokët e Bushatit sot janë tek kufiri, jo sepse nuk kanë bërë debate me mua por sepse përveç punës si ministrave, kanë punuar tokën. Kanë punuar tokën. Kanë mbjellë dhe kultivuar në terren.