Aktorja mjaft e dashur për publikun shqiptar dhe jo vetëm, Arjola Demiri, është rrëfyer për jetën e saj, jashtë kornizave që publiku e njeh. Prova e kësaj jave në “Big Brother VIP” kishte të bënte me rrëfimin e ngjarjeve personale. Banorëve u duhej që të zhvillonin biseda në çift rreth tematikave të ndryshme që lidhen gjithashtu me jetën e tyre, të caktuar nga produksioni. Gjatë bisedës, aktorja foli për tradhtinë nga ish-partneri i saj. Ndër të tjera ajo tha se e kishte falur këtë veprim për 6 vite, por theksoi se gjërat sa vinin dhe përkeqësoheshin.
“Nuk mund ta besoja që personi që po më lutej mua të mos e tradhëtoja, më tradhëton vetë. Në fillim mendova se ishte mërzitur për faktin se fëmija i parë na doli vajzë, dhe për këtë arsye tentova edhe dy shtatzënitë e tjera. Por ishte e kotë”, u shpreh ajo.
“I shijonte jeta që kishte jashtë, se sa ajo brenda shtëpisë. Por, jam e bindur se nuk do të gjejë asnjëherë atë sinqeritet. E doja më shumë se fëmijët, prindërit e mi. Ishte qendra e universit, ishte adhurim për mua. E dorëzova veten time komplet te ai”, shtoi Arjola.
Demiri tha se ka qenë e detyruar të heqë dorë nga gjërat që ëndërronte, për t’iu përkushtuar fëmijëve. “Shikoja kolegët e mi në skenën e teatrit, dhe i thosha vetes pse nuk jam edhe unë aty me ta. E shikoja veten thjesht si një amvisë që rrit fëmijët dhe kaq. Kam shijuar fëmijërinë e tyre. Kam qenë aty në vitet më të rëndësishme për ta”, u shpreh ajo.