Gjatës natës, një sasi tritoli ka tronditur fshatin Hot i Ri, në Shkodër. Rasti në fjalë është shënuar rreth orës 2:25 të mëngjesit në banesën e efektivit të policisë lokale të Shkodrës, Pëllumb Vuka. Ngjarja ndodhi në momentin kur dy djemtë, bashkëshortja dhe Vukaj ishin në gjumë. Fatmirësisht, familjarët dhe vetë efektivi nuk kanë pësuar lëndime, ndërsa banesa dhe automjeti i tij që ndodhej i parkuar në oborr, kanë pësuar dëme të konsiderueshme materiale.
Dyshimet, për shkak të detyrës
Vukaj deklaroi se dyshimet e tij janë se vendosja e tritolit mund të jetë për shkak të detyrës. “Nuk e di se kush mund të jenë autorët, sepse nuk kam pasur konlikte ose kërcënime të drejtpërdrejta. Ajo që dyshoj është se mund të ketë ardhur për shkak të detyrës time”.
Ai është një emër i njohur në radhët e Policisë së Shkodrës, pasi ka qenë efektiv krimesh. Efektivi punon prej 27 vitesh në Policinë e Shtetit, dhe ndër këto vite ka pasur detyra të ndryshme që nga aksionet e drogës, hetimet e vrasjeve dhe hetime të tjera të ngjarjeve të rënda.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 02:25, në fshatin Hot i Ri, Shkodër, pranë murit të banesës së shtetasit, P. V., 49 vjeç, oficer policie në Komisariatin e Policisë Shkodër, ka shpërthyer lëndë plasëse.
Për pasojë ka vetëm dëme materiale në banesë, si dhe është dëmtuar edhe mjeti i tij tip Benz, i parkuar para banesës.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.